Kanë kaluar 21 vjet që nga shpërthimi i konflikti në Kosovë dhe tani është koha që të përmbyllet plotësisht procesi i njohjes së Kosovës dhe njohjes së plotë ndërkombëtare të pavarësisë së saj. Kështu shprehet ambasadori Kurt Volker, ish-përfaqësues i Amerikës në NATO, aktualisht i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, i cili thekson se i gjithë rajoni, përfshirë Serbinë, do të përfitonin nga mbyllja e këtij kapitulli. Zoti Volker i bëri komentet gjatë një diskutimi në Zërin e Amerikës mbi 10 vjetorin e ndërhyrjes ruse në Gjeorgji dhe aneksimin e rajoneve të Abkhazisë e Osetisë së Jugut. Diskutimin e ndoqi kolegia Ardita Dunellari
Ambasadori Volker e quan një padrejtësi ndaj të gjithëve në Ballkan, në veçanti ndaj kosovarëve, që shteti i tyre ende nuk njihet nga Serbia dhe nga të gjithë anëtarët e BE-së:
“Si rezultat, ata janë të bllokuar në marrëdhëniet me BE-në dhe nuk janë në gjendje të përfitojnë plotësisht nga shpallja si shtet i pavarur”.
Kjo situatë, thotë zoti Volker, mban peng edhe Serbinë. Do të ishte në të mirë të vetë popullit serb, të mbyllë këtë kapitull të dhimbshëm dhe të turpshëm, thotë diplomati amerikan:
“Serbët duhet të ecin përpara. Gjëja më e mirë për Serbinë, për mendimin tim, është integrimi në Bashkimin Evropian. Nëse Kosova dhe Serbia e të tjerët në rajon arrijnë ta bëjnë këtë, do të shohim një rajon shumë më funksional në aspektin e marrëdhënieve etnike, në aspektin e statusit, të zhvillimit ekonomik dhe politikës”.
Diplomati sjell si shembull problemet me Bosnjen që ai thotë se janë pjesërisht të lidhura me statusin ende të hapur të Kosovës në Ballkan:
“Duke zgjidhur çështjen e Kosovës shënohet një hap i madh përpara për Bosnjen. Nëse Kosova e Serbia arrijnë në një marrëveshje që mundëson paqe të qëndrueshme, që lejon njohje të ndërsjelltë mes dy shteteve, kjo do të stabilizonte disi politikën në Serbi. Kosova do të kishte të hapur rrugën përpara, ndërsa problemet e Bosnjes do të reduktoheshin në sfidat që lidhen realisht me këtë vend”.
Diskutimi në 10 vjetorin e ndërhyrjes ruse në Gjeorgji përfshin edhe ambicjet dhe strategjitë gjeopolitike të aleatëve të fuqishëm të vendeve ballkanike. Studiuesi Paul Saunders shprehet se mbështetja e Uashingtonit dhe Brukselit për shkëputjen e Kosovës nga Serbia u bë një ndër pikat e fërkimit mes Moskës dhe Perëndimit:
“Përkrahja që i dhanë Shtetet e Bashkuara dhe Evropa shpalljes së një-anshme të pavarësisë nga Kosova u pa nga Rusia si një rast që mund të shërbejë si pararendës, megjithëse Amerika dhe aleatët evropianë nuk donin që të shërbente si e tillë”.
Ambasadori Volker e kundërshton argumentin e Moskës për të shfrytëzuar rastin e Kosovës si paralele për shkëputjen e Krimesë në Ukrainë apo për Abkhazinë Osetinë e Jugut në Gjeorgji. Ai përmend një përpjekje të bashkërenduar të faktorëve ndërkombëtarë, bazuar në marrëveshje e rezoluta ndërkombëtare, mekanizma shumëpalësh ndër të cilët bënte pjesë edhe Moska, që mundësuan ndalimin e konfliktit në Kosovë dhe njohjen e statusit të saj si shtet i pavarur.
Rusia, thotë ai, është e vetme në përpjekjet e saj për të ndryshuar kufijtë në Gjeorgji dhe Ukrainë. Megjithë përpjekjet e saj, askush nuk e ka njohur Krimenë, dhe 10 vjet pas ndërhyrjes, Abkhazia dhe Osetia e Jugut mbeten ende pa status ndërkombëtar.