Besir Demiri do të jetë me shumë mundësi prurja më e re e kombëtares shqiptare. Mbrojtësi i majtë 24-vjeçar ka tërhequr vëmendjen e Panuccit, i cili është ende në kërkim për një zëvendësues të denjë për Ansi Agollin në atë pozicion.
Së fundi mbrojtësi shqiptar nga Shkupi, i cili luan për skuadrën e Mariupolit në Kampionatin ukrainas, është pajisur edhe me pasaportë shqiptare, ndërsa është gati për t’iu përgjigjur thirrjes së Panuccit.
Më herët Demiri ka luajtur edhe për shpresat e Maqedonisë, në plot 16 takime, ndërsa ka debutuar edhe me kombëtaren e parë më 29 Maj, teksa ka luajtur për 7 minuta në një miqësore ndaj Azerbajxhanit.
Për mediat e interesuara, Demiri shpërndau një deklaratë të shkurtër, ku konfirmoi se ka vendosur të luajë me Kombëtaren Shqiptare, ndërsa theksoi se ky nuk ishte një vendim aspak i vështirë.
“Mund të konfirmoj se kam vendosur të përfaqësoj kombëtaren e Shqipërisë. Jam profesionist, jetoj nga futbolli dhe duhet të bëj zgjedhjet e duhura, të cilat vlerësoj se do të më ndihmojnë për të ecur para karrierën time. Kam luajtur me Maqedoninë U21 dhe kam debutuar edhe me seleksionin A, por më pas ka munguar ftesa, edhe pse jam aktivizuar rregullisht me ekipet ku kam luajtur. Jam 24 vjeç dhe karriera në futboll nuk është aq e gjatë sa për të lejuar të injorohemi deri në pafundësi. Shqipëria më vlerësoi në periudhën kur unë jam jashtë planeve të Maqedonisë, kështu që nuk ishte aspak e vështirë të merrja këtë vendim”, tha Demiri.
a.ç