Gjykata Penale e Tiranës ka lënë nën masën e sigurisë arrest me burg 38 vjeçaren Rozina Koleci, autorja e dyshuar e aksidentit tragjik me dy viktima të ndodhur paraditen e 8 gushtit në zonën e Kodër Kamzës në kryeqytet.
Këtë masë sigurie kishte kërkuar edhe prokurorja e Tiranës, e cila po vijon hetimet për këtë ngjarje. Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë të zhvilluar paraditen e së shtunës 38 vjeçarja Koleci nuk ka folur para trupit gjykues raporton ABC, ndërsa avokati i saj ka sqaruar rrethanat e pretenduara nga e mbrojtura prej tij.
Sipas avokatit të Rozina Kolecit, kjo e fundit ka humbur drejtimin e automjetit me të cilin po lëvizte, kur i ka dalë befasisht përballë i riu me biçikletë që mbeti viktimë e këtij aksidenti, 29 vjeçari Ramazan Isha. Avokati ka sqaruar se në perpjekje për të shmangur përplasjen me biçiklistin gruaja ka përplasur fatalisht dhe nënën me dy vajzat, njëra prej të cilave, 7 vjeçe, tragjikisht humbi jetën.
Ndryshe dyshon prokuroria se ka qenë dinamika e ngjarjes. Organi i Akuzës mësohet se do të sekuestrojë videot e kamerave të biznesve në zonën e aksidentit për të provuar dyshimin se 38 vjeçarja Rozina Koleci, në vend që të frenonte në momentin e aksidentit padashje i ka dhënë gaz. Prokuroria ka gjithashtu dyshimin se autorja e aksidentit tragjik ka qenë duke komunikuar me celular në momentin që tragjikisht ka humbur kontrollin e makinës.