Krijimi i korsive të biçikletave në Tiranë ka dhënë efektet e para, pasi po përdoren masivisht nga qytetarët e të gjitha grupmoshave.
“Çdo stinë është më e lehtë mbi biçikleta! Shumë shpejt, të gjitha rrugët e Tiranës do të kenë korsi të veçanta për biçikletat”, shkruan Veliaj në Facebook.
Përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ka përfunduar ndërtimi i korsive të biçikletave në dyja anët e rrugës. Një tjetër korsi biçikletash është krijuar në bulevardin “Zogu i I”.
Por Tiranës i janë shtuar edhe korsitë ngjyrë jeshile apo të kuqe të cilat i has në shumë zona të qytetit si përgjatë lumit të Lanës, apo në zonën pranë Parkut të Liqenit.
Rrjeti i korsive do të kompletohet edhe përgjatë unazës dhe rrugës së Kavajës, duke sjellë një lehtësim të qarkullimit për gjithë kryeqytetin.
Bashkia e Tiranës ka parashikuar ndërtimin e 12 km korsi të dedikuara për biçikletat. Aktualisht në punimet që po kryhen për sistemim e infrastrukturës së rrugëve po i kushtohet hapësirë edhe lëvizjes me biçikleta.
Krahas përmirësimit të infrastrukturës, Bashkia e Tiranës ka futur si risi edhe përdorimin e biçikletave Mobike, duke e renditur kryeqytetin shqiptar mes vendeve më të zhvilluara./a.m.