Nga Lorenc Vangjeli
Ballkani është Evropë. Ndodhet në Evropë dhe i përket Evropës. E vetmja ndarje reale me pjesën tjetër të kontinentit të vjetër është se Ballkani është një Evropë e vonuar dhe ballkanasit janë qytetarë evropianë gjithashtu të vonuar. Sot në epokën e komunikimit global, diferencat dhe dallimet bien edhe më tepër në sy. Dhe kontrastet mes elitave kryesisht politike të rajonit, tashmë janë pothuaj egzotike kur i shohin në kohë reale nga Brukseli apo dhe Uashingtoni. Njëlloj si një udhëtim në kohë. Pikërisht për shkak të kësaj vonese, armiqësia dhe përplasjet etnike që mund të shihen me habi nga Gjermania e Franca e sotme si hyner ballkanas, për të marë një shembull, dje ishin një akt normal për gjermanët e francezët, për të vazhduar më tej me të njëjtin shembull. Diferenca qëndron në kohë – shtatë dekada – dhe mbi të gjitha në aftësinë e këtyre dy popujve të mëdhenj të Evropës për të kuptuar se paqja e paguar me çmimin e luftës dhe lapsat dhe kostumet e bankierëve janë shumë më të fuqishëm se tanket, topat dhe tamburet me uniformat e luftës.
Për Ballkanin është shumë lehtë të flitet me klishetë e të shkuarës. Që nga mendjemadhësia vanitoze e historisë, bashkëlindëse e qytetërimit evropian e deri tek zënia me dorë e hundës së evropianëve, për ankthe dhe makthe të lindura po në Ballkan. Pothuaj gjysëm mijëvjeçari divorc i gadishullit me pjesën tjetër të Evropës në Perëndim, në Veri dhe në Qendër të saj, shënjuan dallime dhe e shndëruan Ballkanin e pushtuar nga osmanët në kushëririn fatkeq, të zhytur sa në varfëri, po aq dhe në harresë.
Emblema e pandryshueshme dhe klisheja më jetëgjatë që ka mbijetuar deri më sot dhe me shumë gjasë, do të mbijetojë edhe në një të nesërme jo fort të afërt, është ajo që e cilëson gadishullin si një fuçi baruti. Të paktën dy ngjarje të mëdha, Lufta e Parë Botërore dhe shpërbërja e ish-Jugosllavisë, njëra në fillim dhe tjetra në fund të shekullit të shkuar, janë argumente shumë të fortë në favor të kësaj teze. Por në fakt nuk është plotësisht kështu. Ballkani ka qenë mishi, por topi ka qenë jashtë tij. Ballkani ka qenë shpërthimi, por zjarri ka ardhur nga jashtë. Jashtë Ballkanit dhe me interesa në Ballkan. Kështu ishte në Luftën e parë Botërore.
Ndarja e ish-Jugosllavisë dhe tmerri i luftës për një dekadë nisi sa nga Serbia, po aq dhe nga gjithë ata aktorë e faktorë të tjerë që në rastin më të mirë nuk kuptuan, nuk deshën apo dhe inkurajuan vdekjen e krijesës artificiale që tentonte të sillej si Evropë e Bashkuar në formë, por duke funksionuar diktaturë në thelb. Qoftë kjo e shfaqur si diktaturë sistemi, individi apo dhe diktaturë etnie mbi etninë tjetër.
Ende sot, 20 vjet pas luftës, për shkak të moskuptimit, vështrimit të cekët të historisë dhe mbi të gjitha, të manisë së çuditshme për viktimizim që e kanë gjithë popujt e këtij rajoni, njëlloj si ata lypësit që për të ngjallur mëshirën e kalimtarëve tregojnë plagët e tyre, këtej Juglindjes së Evropës, po bëhet gjithçka për t’u dëshmuar ndryshe. Dhe për t’u dukur të veçantë me çdo lloj çmimi.
Në të vërtetë nuk ka dy rrugë për gadishullin, pavarësisht retorikës shumë shpesh spekulative të elitave politike. Ka vetëm një model. Ekziston vetëm një projekt që nuk mund të konkurojë me asgjë tjetër, së paku deri më tani. Dhe ky është modeli i Evropës shumetnike, i vendeve sovrane që kufizojnë sovranitet në marëdhënie me njëra-tjetrën dhe bëjnë tregti me njëri-tjetrin. Shengeni, lëvizja e lirë është vetëm dukja dhe forma kësaj mrekullie që ndodh pikërisht aty ku dikur urrejtja lëvizte tanke, topa e tamburë me uniforma lufte. Ballkani nuk ka zgjidhje tjetër. E vetmja zgjidhje e tij është zgjedhja e Evropës. Herët a vonë dhe më shumë herët sesa vonë, i duhet të bëhet Evropë. Çfarë ndodh sot me eufemizmin politik të shpikur kësaj vere për korrigjime kufinjsh mes shqiptarësh e serbësh është vetëm thelbi i asaj që vuan Ballkani. I sindromit të të qënit Evropë e vonuar. Edhe atëherë kur fjali të tillë thuhen në emër të Evropës a më tej akoma.
Kosova e rilindur me luftë si një model shteti multietnik nuk mund të bëhet vend etnikisht “i pastër” me “paqen afatgjatë” që propozojnë ballkanasit e fundit. Sepse ky do të ishte dështimi i të gjithëve. Edhe i vetë projektit evropian, që sot është në krizë mosbesimi dhe i përfshirë nga gjithfarë dyshimesh dhe paranojash që i vijnë nga e shkuara dhe duke i turbulluar projeksionin e të ardhmes. Eshtë në krizë edhe nga paqartësia se çfarë do të duhet të bëjë me evropianët e vonuar të Ballkanit, që pikërisht për këtë shkak, zgjodhën të sillen si ballkanas edhe në këtë verë të nxehtë. Duke projektuar në të njëjtën kohë edhe fundin e tmerrshëm, edhe tmerrin pafund që sjell lehtësia e padurueshme me të cilën ballkanasit meren me hesapet historike të njëri-tjetrit dhe historinë e kujtesës së përbashkët për tmerre pa hesap dhe që nuk kanë fund të mirë për askënd./Javanews