Gjithmonë e më shumë Shiqpëria po kthehet në një destinacion turistik për të huajt. Kjo duket edhe në reportazhet e shumta që mediat prestigjoze i kushtojnë Shqipërisë, e cila ofron disa lloj turizmi.
Një prej më të pëlqyerve sigurisht është edhe ai malor ku më së shumti natyra e Luginës së Valbonës dhe Thethit janë në krye të preferencave.
Gazetari Denis Dyrnjaja, teksa shpërndan disa foto të mrekullueshme shkruan se pamje si këto duhet të ishin në gjithë vendin por ne i premë pyjet, e dëmtuam natyrën.
Postimi:
Kjo pamje në foto nuk është në Austri apo Gjermani, nuk është as në Spanjë, Skoci, Zvicër apo Suedi, por është në Shqipëri.
Është thjeshtë një mrekulli.
Kjo mrekulli quhet Curraj i Epërm, një pikëtakim me Thethin dhe Valbonën.
Kështu duhej të ishte 80 % e Shqipërisë, sikurse është 80 % e Bavarisë.
Por gjermanët “idiotë” i ruajtën pyjet, ndërsa ne të “zgjuarit” i zhdukëm.
Çuam beton edhe në Valbonë, masakruam pyje e lumenj.
Pasi shtruam gjithçka poshtë me beton, tani kemi filluar te veshim edhe qiellin me beton, në vend që ta mbanim stolisur me pisha, ah, bredh, frashër e lis.
Curraj i Epërm kaq madhështor, kaq i bukur dhe kaq jetësor.
Si një pikë uji e freskët në shkretëtirën më të re të betonizuar në Europë, me emrin Shqipëri.