Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit ka konfirmuar kërcënimin ndaj profesorit të shkencave islame, Mustafa Bajrami. Këtij të fundit i janë kërkuar 35 mijë euro nga persona tashmë të identifikuar për organet e drejtësisë.
Zëdhënësi i policisë kosovare, Ismet Hashani ka thënë se për këtë rast është informuar menjëherë prokurori, i cili është marrë me çështjen në fjalë. Ai tregon si ka ndodhur ngjarja.
“Policia e Kosovës e ka njoftuar Prokurorin dhe prokurori direkt është marrë me këtë lëndë kështu që është intervistuar viktima janë duke u marrë të gjitha masat që me u zbardhë rasti”, ka thënë Hashani për Indeksonline.
Lajmin për kërcënimin e tij e bëri të ditur vet Bajrami përmes llogarisë së tij personale në “Facebook”, i cili tha se është dashur ndërhyrja e një personi tjetër (ndërmjetësues) që çmimi i “haraçit” të ulet.
“Ose 35000 euro, ose koka. Ky ishte ultimatumi i deri djeshëm. Pas ndërhyrjes së një fytyre shumë e njohur publike në Kosovë (jo fytyrë politike), çmimi ka ra, por, sipas ndërmjetësuesit, diçka duhet paguar.
I them botërisht zotëriut dhe zotërinjëve të involvuar. Nuk ka forcë në këtë botë që mund të më detyrojë të bëjë diçka jashtë vullnetit tim. Siç i kam quar selam mbrëmë edhe sot nga këtu i them; Pushka top iu bëftë se unë nuk frikohem. Kurrë dhe në asnjë mënyrë asnjë cent s’ka për ta marrë”, kishte shkruar Bajrami./a.m.