Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein u ka bërë dje thirrje opozitës dhe maxhorancës në Shqipëri të gjejnë gjuhën e dialogut. Edhe pse me pushimet e verës, Fleckenstein dha këtë intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”. “Në përgjithësi, dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe opozitës janë shumë të rëndësishme për përparimin në reforma dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së shqiptarëve të zakonshëm. Nëse ka pasur parregullsi, unë jam i sigurt se opozita do të gjejë mënyrën e duhur për të kërkuar rekurs”, u shpreh raporteri. Fleckenstein para-shikon të vijë në Tiranë para fundit të nëntorit, ndërkohë që shpreh keqardhje sa u përket mosdakordësisë së palëve në seancën e fundit të Parlamentit shqiptar për ndryshimet ligjore për rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj në Shkollën e Magjistraturës.
“Kjo është absolutisht e nevojshme për funksionimin e institucioneve. Shpresojmë se kjo do të bëhet së shpejti”, shprehet Fleckenstein në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare”. Sa i përket procesit të vetingut, raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian u shpreh se Shqipëria duhet të jetë krenare për këtë reformë shumë ambicioze. “Vetingu është thelbësor për të krijuar besim në këto institucione dhe sundimin e ligjit. Në fund të fundit, prova përfundimtare e një reforme të suksesshme duhet të jetë në rezultatet e arritura në sistemin e drejtësisë, duke përfshirë edhe ndjekjen penale të efektshme dhe dënimet për krimin e organizuar. Fakti që tashmë ka pasur disa shkarkime dhe dorëheqje vullnetare tregon se vetingu po funksionon”, deklaroi Knut Fleckenstein.
Sa i përket datës së përcaktuar nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, Fleckenstein shprehet se do të dëshironte që ajo datë të ishte më afër. “Unë besoj plotësisht se Shqipëria e meriton këtë në dritën e përpjekjeve që janë bërë në vend. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme është se tani ekziston një rrugë e qartë për hapjen e negociatave me një afat kohor transparent dhe hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se puna përgatitore për negociatat, i ashtuquajturi ‘screening’, tashmë është duke u zhvilluar. Ky proces do të duhej të ndodhte gjithsesi, edhe nëse vendimi para verës do të ishte ndryshe”, u shpreh raporteri i PE-së.
INTERVISTA
Zoti Fleckenstein, çfarë do të ndodhë brenda këtij viti, deri në qershor 2019 me Shqipërinë? Çfarë duhet të arrijë qeveria shqiptare në 11 muajt e ardhshëm?
Mendoj se prioriteti i parë që duhet të jetë është të qenit gati për fillimin e duhur të negociatave të pranimit në BE vitin e ardhshëm. Kjo është një detyrë shumë e rëndësishme që kërkon shumë përgatitje administrative, si dhe vullnet politik. Në të njëjtën kohë, procesi i reformave duhet të vazhdojë me të njëjtin progres të qëndrueshëm që ne kemi vëzhguar dhe njohur në vitet e fundit. Kjo vlen veçanërisht për pesë fushat prioritare në reformën e administratës publike, reformën e gjyqësorit, të drejtat e njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar.
BE vendosi disa kushte për qeverinë shqiptare për hapjen e negociatave, përpara qershorit 2018, por negociatat nuk u hapën më 28 qershor. Si e vlerësoni këtë?
Do të kisha preferuar nëse fillimi do të ishte më shpejt se sa është parashikuar tani. Unë besoj plotësisht se Shqipëria e meriton këtë në dritën e përpjekjeve që janë bërë në vend. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme është se tani ekziston një rrugë e qartë për hapjen e negociatave, me një afat kohor transparent dhe hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se puna përgatitore për negociatat, i ashtuquajturi “screening”, tashmë është duke u zhvilluar. Ky proces do të duhej të ndodhte gjithsesi, edhe nëse vendimi para verës do të ishte ndryshe. Tani duhet të sigurohemi në të dyja anët që ta përdorim këtë kohë për të përgatitur dhe vendosur negociatat e pranimit në një fillim të mirë vitin e ardhshëm pa asnjë humbje kohe.
A ka pasur ndonjë kusht “të fshehur”, për shembull pranimi i refugjatëve nga Siria, që solli këtë shtyrje të hapjes së negociatave?
Jo. Kushtet për zgjerimin e BE-së janë të qarta, të njohura publikisht dhe duhet të zbatohen për të gjithë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë. Refugjatët sirianë nuk janë pjesë e kësaj.
A do të keni një vizitë në Tiranë së shpejti?
Shpresoj shumë të ndodhë. Fokusi im në muajt e ardhshëm do të jetë në punën brenda Parlamentit Europian si raportues përgjegjës për raportin e progresit për Shqipërinë dhe legjislacionin, që krijon instrumentin e ri financiar për të ndihmuar vendet në rrugën drejt pranimit në BE përtej 2020-ës. Por unë sigurisht parashikoj të vij së shpejti në Tiranë, përpara fundit të nëntorit.
Seanca parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë u mbyll pa konsensus, ndërkohë që pati një debat të ashpër mbi një çështje që lidhej me ndërtimin e një teatri të ri. A e keni ndjekur këtë debat dhe çfarë do t’u këshillonit partive në Tiranë?
Ne nuk duhet të mikromenaxhojmë çdo çështje të mosmarrëveshjeve brenda Shqipërisë nga brenda Parlamentit Evropian. Ajo që është e rëndësishme për ne është që rregullat e zbatueshme, përfshirë ato që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri janë ndjekur. Në përgjithësi, dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe opozitës janë shumë të rëndësishme për përparimin në reforma dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së shqiptarëve të zakonshëm. Nëse ka pasur parregullsi, unë jam i sigurt se opozita do të gjejë mënyrën e duhur për të kërkuar rekurs.
Ditët e fundit ka pasur largime të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të procesit të vetingut. Si e vlerësoni këtë proces, ndërkohë që disa institucione të larta ligjore, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese kanë vakanca dhe rrjedhimisht nuk mund të funksionojnë?
Unë mendoj se Shqipëria mund të jetë krenare me reformën shumë ambicioze të drejtësisë që po zhvillohet. Por kjo është një maratonë, jo një sprint. Vetingu është thelbësor për të krijuar besim në këto institucione dhe sundimin e ligjit. Në fund të fundit, prova përfundimtare e një reforme të suksesshme duhet të jetë në rezultatet e arritura në sistemin e drejtësisë, duke përfshirë edhe ndjekjen penale të efektshme dhe dënimet për krimin e organizuar. Fakti që tashmë ka pasur disa shkarkime dhe dorë-heqje vullnetare tregon se vetingu po funksionon. Megjithatë, është për të ardhur keq që nuk ka pasur një marrëveshje ndërmjet partive politike për ndryshimet e nevojshme ligjore për rekrutimin dhe trajnimin e gjyqtarëve dhe proku-rorëve të rinj, me një kapacitet më të lartë në shkollën e magjistratëve. Kjo është absolutisht e nevojshme për funksionimin e institucioneve. Shpresojmë se kjo do të bëhet së shpejti.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/08/08/fleckenstein-dialog-ps-pd-nuk-mund-te-menaxhojme-cdo-mosmarreveshje-ne-shqiperi/
ma.me