Libri i Kaloçit, “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, zbulohet dokumenti i vitit 1982 për realizimin e filmit italo-francez në Shqipëri. Klauzola e kontratës: “Filmi duhet të jetë në përputhje me kërkesat dhe marrëveshjen e bërë nga autori i romanit Ismail Kadareja me “Films 66”.
Nga Dashnor Kaloçi, TemA
Ashtu siç kemi parë edhe në disa kapituj paraardhës, diku nga mesi i vitit 1982, kur shoqëria filmike franceze “FLMSS 66”, e përfaqësuar nga aktori i njohur Michel Piccoli, ishte bërë gati për të ardhur në Shqipëri dhe për të filluar xhirimet e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, (sipas skenarit të përshtatur nga romani me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare), papritur u ndeshën me një sërë problemesh të ngritura nga pala shqiptare, e cila iu propozonte për një shtyrje të fillimit të xhirimeve. Gjë e cila për ta, as më shumë dhe as më pak do të thoshte se realizimi i filmit nga ana e tyre ishte në kufijtë e së pamundurës.
Propozimi për shtyrjen e filmit iu bë palës franceze më datat 23 dhe 24 gusht 1982 nga vetë titullarja më e lartë e Ministrisë së Arsimit e asaj kohe, Tefta Cami, gjë e cila vinte pas një sërë letërkëmbimesh të bëra më parë me ta dhe që ishin nëshkruar nga funksionarët më të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Shqipërisë, si Reis Malile, Sokrat Plaka, Misto Treska, Javer Malo, Jorgo Melica, Dilaver Pinderi, etj e deri nga Drejtori i Kinostudios “Shqipëria e re”, Vangjush Zallëmi e mvartës të tij si Gjergji Pano dhe Niko Mitrushi.
Kjo gjë vinte pas një sërë zvarritjesh dhe pengesash subjektive që nxirrte shteti shqiptar, si p.sh., përbërja “sekret ushtarak” e disa vëndeve ku do vendoseshin francezët me sheshe xhirimi, etj absurditete të tilla. Dhe pas gjithë këtyre pengesave, si për t’i “vënë vulën” një vendimi të paramenduar, pala shqiptare me anë të Minstrisë së Punëve të Jashtëme, (urdhëri i zv/ ministrit, Sokrat Plaka), me anë të një telegram shifër tepër sekret, njoftonte ambasadat tona në Paris, Romë, Beograd dhe Athinë, ku thuhej: “Urgjente Dt.26.8.1982. TEPER SEKRET. S H I F R I M I. Koncepti: Në rast se paraqiten për vizë grupi i xhirimit të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i përbërë nga: 1. Michel Pikoli, 2. Huge Nacin, 3. Domenigue Tabuteau, 4.Jan Lui Millart, të mos u jepet vizë. Po të paraqiten, na njoftoni dhe prisni përgjigjen tone”.
Por cila ishte arsyeja kryesore që pala shqiptare u nxirrte pretendime pas pretendimesh francezëve dhe, a kishte mundësi reale shteti shqiptar për t’i qëndruar korrekt kontratës që kishte lidhur me shoqërinë filmike “FILMSS 66”? Nga shumë burime të besueshme bëhet e ditur se pretendimet e palës shqiptare për realizimin e filmit s’ishin gjë tjetër veçse pretekste subjektive të ngritura artificialisht për “t’ua nxirë jetën” francezëve, aq sa i detyroi ata që të tërhiqeshin nga projekti i tyre për realizimin e filmit dhe më pas ta zhvendosnin atë në jug të Italisë, siç dhe ndodhi më pas. Thuhet se problemi kryesor ishte “çështja Kadare”, autori i skenarit të filmit, ndaj të cilit pikërisht në ato ditë, në një nga qelitë e hetuesisë të Burgut 313 në Tiranë (ku zhvillohej procesi hetimor i të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut”), “po rrëfehej” ish-ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, duke akuzuar edhe Kadarenë si pjesëtar i atij grupi.
Por edhe pse “dosja Kadare” u mbyll, filmi “Gjenerali…” nuk u realizua dot, dhe arsyet e vërteta nuk u thanë kurrë e nuk janë bërë ende publike edhe sot, pas 29 vjetësh nga shembja e regjimit komunist. Kjo gjë të paktën nga asnjë prej aktorëve kryesorë që u muarrën me “çështjen” e xhirimit të “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku shumë prej tyre jetojnë ende. Ndërsa, lidhur me disa nga pengesat artificiale dhe pretendimet e palës shqiptare jemi njohur nga disa dokumente që i kemi publikuar më herët (korrik-gusht 2017, “Gazeta Shqiptare”), në numrin e sotëm po publikojmë për herë të parë kontratën e palës shqiptare për xhirimin në Shqipëri të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kontratë e cila nuk u firmos kurrë nga shoqëria filmike franceze, “Films 66”, e cila pas kësaj u tërhoq dhe i zhvendosi xhirimet në jug të Italisë, ku dhe e realizoi filmin në fjalë me protagonist aktorin e famshëm italian, Marchello Mastrojanni.
Ashtu siç do të shohim edhe nga faksimilet përkatëse, në kontratën në fjalë ka shumë shënime me shkrim dore të bëra nga zv/ministri i Punëve të Jashtëme të asaj kohe, Sokrat Plaka, i cili në fund të kontratës ka shënuar” “Po për vetë filmin në tërësi, çdo marrim ne”?
K O N T R A T A
KINOSTUDIO “SHQIPERIA E RE” rruga Aleksandër Moisiu, 76 Tiranë, Shqipëri, përfaqësuar prej……….nga njëra anë që më poshtë do të quhet shkurtimisht “Kinostudio” dhe
“Films 66” Avenue Mac-Mahon 75017 Paris Francë, e përfaqësuar prej…………..nga ana tjetër, që më poshtë do të quhet shkurtimisht
“Films 66”, për:
Xhirimin në territorin e RPS të Shqipërisë nga ana e “Films 66” të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në kushtet e mëposhtëme:
1. Kinostudio merr përsipër të krijojë kushtet e nevojëshme në mënyrë që “Films 66” të xhirojë në territorin shqiptar pa ndërprerje nga data 14 tetor deri më 25 dhjetor 1982 episode të filmit të lartëpërmëndur, prodhim i “Films 66”, duke vënë në dipsozicion të kësaj të fundit, sipas kërkesave të saj, personelin teknik, objekte xhirimi dhe materiale që shënohen në lidhjet 1, 2 dhe 3.
Filmi është prodhim ekskluziv i “Films 66”. Si rrjedhim në titujt e filmit të lartëpërmëndur, personeli shqiptar dhe shërbimi i Kinostudio “Shqipëria e Re”, nuk do të pasqyrohen.
2. “Films 66” merr përsipër që t’i paguajë Kinostudios, sipas kushteve të kësaj kontrate, shumën prej Fr.fr……….
3. “Films 66” do të sjellë në Shqipëri një grup xhirimi franko-italian (punonjës, teknikë dhe aktorë) jo më shumë se 37 veta, si dhe aparatura të ndryshme xhirimi, ndriçimi dhe materiale të tjera dhe katër automjete teknike me
aparaturat përkatëse që shënohen hollësisht në lidhjen nr.4.
Pikat kufitare të hyrjes e të daljes të personave të grupit të xhirimit dhe të mjeteve teknike të lartpërmëndura do të jetë aeroporti i Rinasit dhe Hani i Hotit.
4. Pagesat që do të bëjë “Films 66” për shërbimet që do të kryejë Kinostudioja, përshkruhen hollësisht në lidhjen nr. 5.
5. “Films 66” detyrohet që listat e personelit të grupit të xhirimit francez dhe italian së bashku me gjeneralitetet përkatëse t’ia dërgojë Kinostudios 30 ditë para ardhjes së secilit person në Shqipëri, duke bërë në të njëjtën kohë edhe kërkesën për formalitetet e pasaportës e vizave në ambasadën e RPS të Shqipërisë në Paris apo Romë.
6. “Films 66” do të çelë pranë Bankës së Shtetit Shqiptar në favor të Kinostudios një kredi dokumentare të parevokueshme të konfirmuar në gjithë shifrën prej Fr. Fr……..15 ditë para nënshkrimit të kontratës. Përdorimi i kredisë do të bëhet për kundrejt paraqitejes në Bankën e Shtetit Shqiptar të dokumenteve si më poshtë”
* Faturës së paraqitur nga Konostudio në dy kopje.
* Situacionit javor të nënshkruar nga përfaqësuesit e të dy palëve.
Pagesa do të kryhet në fillim të çdo jave paraardhëse. Pagesa e karburantit do të bëhet për çdo javë konkretisht sipas konsumit që do të pasqyrohet në situacionin javor dhe sipas çmimeve të caktuara në Lidhjen nr 1.
7. Xhirmimet e filmit do të kryhen nga data 14 tetor 1982 deri më 25 dhjetor 1982.
8. “Films 66: merr përsipër t’i dorzojë pa pagesë Kinostudios një kopje dubël-negativ të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me përfundimin e filmit, për përdorim brenda vëndit.
9. Filmi i përfunduar duhet të jetë në përputhje me kërkesat dhe marrëveshjen e bërë nga autori i romanit Ismail Kadareja me “Films 66”.
10. Në rast se “Films 66” nuk do të respektojë kushtet e kësaj kontrate, konyrata do të konsiderohet e zgjidhur pa paralajmërim dhe “Films 66” do të përballojë shpenzimet e bëra, deri në datën e prishjes së kontratës.
11. Mosmarrëveshjet eventuale që mund të lindin gjatë zbatimimit të kësaj kontrate, palët do të përpiqen t’i zgjidhin me bisedime.
Lidhjet nr. 1, 2, 3, 4, 5 janë pjesë përbërëse dhe e pandarë e kësaj kontrate.
Kjo kontratë u përpilua në Tiranë, më datën……..në gjuhët shqip e frengjisht në 4 origjinalë për secilën gjuhë duke pasur të dy tekstet fuqi të barabartë.
Secila palë merr nga një ekzemplar në secilën gjuhë.
Kontrata hyn në fuqi ditën e nënshkrimit të saj dhe është e vlefshme deri më 31 dhjetor 1982.
PER KINOSTUDION PER “FILMS 66”
ma.me