Ngritja e kampeve verore për fëmijët që vijnë nga familjet në nevojë është kthyer tashmë në një traditë për Bashkinë e Tiranës, e cila u jep të gjithë vogëlushëve një mundësi për të kaluar ditët e nxehta në mënyrë sa më aktive dhe argëtuese. Në kuadër të projekteve të jetesës aktive, Bashkia e Tiranës ka organizuar kampin veror “Sport Fest”.
Fëmijë të grupmoshave të ndryshme po e kalojnë këtë verë të nxehtë tek Liqeni, nën hijet e pemëve dhe flladet freskuese në kampin më argëtues të verës i cili në pjesën e parë të ditës gjallërohet nga aktivitete sportive, edukative dhe kulturore për fëmijë të shtresave të ndryshme sociale.
Gjithashtu ata kanë mundësi që të njihen edhe me botën e MOBIKE, të cilat stacionohen pranë kampit për të pedaluar në rrugët e reja të biçikletave në Park.
Në orët e pasdites stafetën e marrin aktivitetet për të rinj me muzikë Live, DJ, string art, special guests, etj. Fëmijë apo i rritur takimi këtë verë është te Kampi “Sport Fest”./a.ç