Nga Alfred Peza
Edi Rama ia ka arritur me sukses që ti fusi edhe dy konkurentët e tij kryesorë politikë, Ilir Metën dhe Sali Berishën, në kurthin e tij virtual të një rubrike të “vjetër”. Eshtë fjala për postimet e tij të përditshme, të orës 08.00, në facebookun zyrtar. Postime këto nën okelion “Mirëmëngjes” të cilat prej shumë muajsh, i ka shndërruar në një vitrinë lajmesh të vogla pozitive, rreth punëve dhe projekteve të reja, që qeveria e tij realizon apo programon, në të gjitha sektorët dhe në gjithë territorin e vendit.
Vetëm pak ditë më parë, ka qenë Presidenti i Republikës Ilir Meta që nisi ta bëjë me sa duket edhe ai të përditshme, këtë rurbikë në facebookun e tij. Ndërkohë që ish Kryeministri Berisha, sapo e ka nisur më në fund ditën e tij dixhitale, me një “mirëmëngjes” për të gjithë ndjekësit e tij të shumtë, në facebookun personal.
Më poshtë po ju sjell të plota, tri mesazhet e fundit të rubrikës “mirëmëngjes”, të tre liderëve më të rëndësishëm të politikës shqiptare. Ndoshta kjo është hera e parë që të tre bashkë, pajtohen publikisht, për të njëjtën gjë. Për të gjithë ata që janë të interesuar për politikë dhe për komunikimin publik, besoj se ka rëndësi që të fiksojnë startin e këtij rituali, që mund të na ndjekë të gjitha mëngjeset tona në të ardhmen.
Edi Rama:
MIRËMËNGJES
Dhe me këtë pasqyrim që s’ka nevojë për komente të agjencisë globale të vlerësimit financiar S&P, e cila ka konfirmuar ecurinë pozitive të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, ju uroj një javë të mbarë.
* Shqipëria pritet të ketë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ka pak gjasa të pësojë çbalancime fiskale ose të jashtme, gjatë tre a katër viteve të ardhshme.
* Performanca fiskale e vendit është përmirësuar ndjeshëm në vitet e fundit, mbёshtetur nga rritja e qëndrueshme ekonomike dhe nga një kuadёr fiskal i pёrmirёsuar, i cili tani përfshin edhe një frenim të formalizuar tё defiçitit (Ligji Organik Buxhetor).
* S&P njeh përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar ekonominë informale, për të arritur statusin e kandidatit formal për pranimin në BE.
* S&P parashikon që ecuria fiskale e Shqipërisë të mbetet pozitive deri në vitin 2021 dhe më e mirë se vendet me vlerësim të ngjashëm. Kjo si rezultat i pritshmërive pozitive të rritjes ekonomike dhe kontrollit të defiçitit buxhetor nga qeveria.
Ilir Meta:
Mirëmëngjes të dashur miq dhe një javë të mbarë!
Kush dëshiron të përjetojë një eksperiencë fantastike në Grykën e Rugovës duhet të shijojë Zip-Line. Është një adrenalinë e paparë!
Sportet ekstreme do të mbeten përherë të dashura për mua!
Sali Berisha:
Një mirëmëngjes për Noriegen nga arat e narkopartisë në Shtjez!
Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e qytetarit dixhital. sb
“Përshëndetje zoti Berisha. Këto të dhëna që po ti dërgoj janë në fshatin Shtjez në malësinë e Krujës. Janë mbi 2000 rrënjë hashash. Vendi i quajtur, përroj i Gjatushit. Doli dhe komplet fshati Shtjez.”
Pyetja që lind pas kësaj është:
Përse Ilir Meta dhe Sali Berisha vendosën që ta ndiqnin hap pas hapi, në të njëjtën kohë dhe me të njëjtën rubrikë, Kryeministrin Edi Rama?
Ora 08.00 e çdo mëngjesi, për raportin komunikativ mes politikës dhe opinionit publik shqiptar, është një kohë atipike. Sepse qytetarët shqiptarë “historikisht”, nëpërmjet radios fillimisht, televizionit shtetëror më pas dhe rreth viteve 2000, edhe nëpërmjet ekraneve private, janë ushqyer me politikë vetëm në mbrëmje. Atëherë kur pasi mbaronin punët e ditës dhe mblidheshin me familjen a shoqërinë, dëgjonin apo shikonin lajmet, interevistat e më pas, edhe emisionet e shumta të debateve politike. Si një sport kombëtar që ka tifozët e tij të shumtë e fanatikë, ose si një valium për gjumë më të lehtë, pas ditëve të “qeta” apo të “trazuara” që kalonin.
Ndaj, kur Edi Rama si një politikan atipik, nisi rubrikën atipike të “mirëmëngjeseve” të tij në rrjetet sociale, nuk është se ra edhe aq shumë në sy e nuk u mor edhe aq seriozisht. Por, kur e sheh “me tjetër sy” sot, me sa duket ai ka qenë shumë i qartë në qëllimin e tij afatgjatë: Në morinë e pafund të lajmeve me të cilat bombradohen zakonisht qytetarët nëpërmjet mediave tona, Kryeministrit i Shqipërisë nisi të shpërndajë për mbi 1 milionë e 135 mijë ndjekësit e tij, vetëm lajme pozitive çdo mëngjes.
Në fillim këto lloj lajmesh ishin si ato pikat që binin për tu tretur pothuajse pa asnjë gjurmë, në “kazanin” e madh të lajmeve të tjera përgjithësisht negative,- nëse do përdornim një fjalë që Rama e ka shumë për zemër. Por, ashtu si pika e ujit që bie papushim mbi shkëmbin derisa vjen një ditë sa nis dhe e gërryen atë, edhe kreu i qeverisë me sa duket, nëpërmjet pikave të përditëshme me lajmet e tij pozitive, mund të ketë nisur që të ketë efekt tek qytetarët.
Me siguri Sali Berisha dhe Ilir Meta, si politikanë të “rrahur me vaj e me uthull” ose kanë patur informacion, ose kanë nisur që ta nuhasin se ato “mirëmëngjeset” e facebookut, nuk janë edhe aq “të pafajshme” sa për të mos u marë në konsideratë tashmë, edhe prej tyre. Duke u përcjellë ndjekësve të vet në të njëjtën kohë me shefin e mazhorancës, edhe mesazhet e tyre.
Pas kësaj, si të mos na mjaftonin të gjitha mbrëmjet e “bombarduara” me debate politike, me sa duket kemi mbërritur në “epokën” ku sot e tutje, do të ushqeheni me politikë edhe në mëngjes, edhe në drekë, edhe në darkë. Edhe para buke, edhe pas buke. Ndaj: Ju bëftë mirë!