Shkrimtari Ramiz Lushaj, në një reagim përmes një shkrimi, ka shprehur shqetësimin për deklaratën e dhënë nga Momçillo Vuksanoviç, presidenti i Këshillit Kombëtar të Serbëve në Malin e Zi.
Vuksanoviç lidhur me ndryshimin e kufijve për Kosovën dhe Serbinë, ishte shprehur për Komunitetin Ndërkombëtar: Të japim Plavë-Gucinë dhe të marrim Shkodrën…!
Kjo deklaratë më pas ishte botuar më 4 gusht 2018 në gazetën “Dan” në Podgoricë, Mali i Zi, pas deklaratave te Presidentit te Kosoves Hashim Thaci per rishikim te kufijve me Serbine, te cilat kane shkaktuar reagime te ndryshme, pro e kunder ne radhet e po.
“Kjo deklaratë duhet marrë seriozisht prej politikës shqiptare të Tiranës, Prishtinës, Shkupit e në Malin e Zi, sepse 63 vjeçari Momçillo Vuksanoviq është President i Këshillit Kombëtar të Serbëve, i rreth 200 mijë serbëve në Malin e Zi, i një institucioni i njohur ligjërisht nga legjislacioni kushtetues i Malit të Zi (sikurse dhe Këshillat e këtilla të Shqiptarëve, Boshnjakëve, Kroatëve, etj.) dhe kanë kompetenca, fonde, aktivitet, peshë në vendimmarrjet legjislative e administrative në Malin e Zi. Aq ma tepër kur ky president e institucioni i tij kanë lidhje e bashkpëunime të mira, të shpeshta, të dëshmuara deri në caqe ekstreme me Kishën Ortodokse të Serbisë, etj.”, shkruan ndër të tjera Lushaj.
E plotë:
Dr. Momçillo Vuksanoviq, presidenti i Këshillit Kombëtar të Serbëve në Malin e Zi, e lëshoi deklaratën e tij për Komunitetin Ndërkombëtar: Të japim Plavë-Gucinë dhe të marrim Shkodrën…! Kjo u botua më 4 gusht 2018 në gazetën “Dan” në Podgoricë, Mali i Zi.
Kjo deklaratë e Vuksanoviqit, që të pakten për nga mbiemri i tij duket i prejardhjes shqiptare po me etni e shpirt i sllavizuar në indet e venat e tij, duhet të merret me vlerësim e qëndrim maksimal e të rreptë, pasi don pazare me interesat e tokat etnike shqiptare. Përndryshe, heshtja jonë do të thotë se jemi “të lodhur, të paditur, të pamundur…”.
Kjo deklaratë nuk ka ndonjë ndryshim me qëndrimet e veprimet e krajl Nikollës së Dytë të Malit të Zi, i cili kërkonte të merrte në zotërimet mbretërore të tij dhe Shkodrën e deri dhe Prizrenin. Në vitin 1906 në Çetinje, kryeqytetin e fronit malazez, u themelua Partia Popullore (NS) me imazhin e frymën e Krajl Nikollës, e cila u ringrit më 1990 e më 1997 me kryetar të saj Predag Popoviqit (rrënjas kuças), e cila është partia ma e vjetër në Malin e Zi dhe ende e mban hymnin krajlnikollian antishqiptar “Përpara…” drejt Shkodres e Prizrenit (!)
Kjo deklaratë duhet marrë seriozisht prej politikës shqiptare të Tiranës, Prishtinës, Shkupit e në Malin e Zi, sepse 63 vjeçari Momçillo Vuksanoviq është President i Këshillit Kombëtar të Serbëve, i rreth 200 mijë serbëve në Malin e Zi, i një institucioni i njohur ligjërisht nga legjislacioni kushtetues i Malit të Zi (sikurse dhe Këshillat e këtilla të Shqiptarëve, Boshnjakëve, Kroatëve, etj.) dhe kanë kompetenca, fonde, aktivitet, peshë në vendimmarrjet legjislative e administrative në Malin e Zi.
Aq ma tepër kur ky president e institucioni i tij kanë lidhje e bashkpëunime të mira, të shpeshta, të dëshmuara deri në caqe ekstreme me Kishën Ortodokse të Serbisë, etj.
Kjo deklaratë e tij (sado utopike) duhet marrë seriozisht, pasi Momçillo Vuksanoviq ka qënë një emër i njohur i politikës së Malit të Zi e të Serbisë, i cili në vitet 2003-2006 ishte deputet i Federatës Serbi-Mali i Zi, pavarësisht se tani e cilëson vetveten e tij të paangazhuar në partina politike në shtetin e tij multietnik.
Përndryshe: Momçillo Vuksanoviq mban gradën doktor i shkencave dhe është një nga figurat e arsimit sllav në Malin e Zi. Për ma tepër: Momçillo Vuksanoviq është një nga personalitetet e masmediave në Malin e Zi, pasi ka themeluar revistën “Srpske novine”, radio-stacionin “Cool”, stacionin televiziv “Srpska televizija”, ka ndihmuar në dhjetra botime në gjuhën serbe, etj.
Kjo deklaratë e tij tipike sllave duhet marrë seriozisht, sepse është botuar në të përditshmen “Dan” (Dita), me emër e traditë nga gazeta e vjetër e Çetinjës e fillim shekullit të kaluar (XX), e cila prej vitit 2009 vjen e dyta për nga tirazhi i saj (pas “Vijesti”-t), me mbi 30 për qind të lexuesve në Malin e Zi.
Kjo deklaratë e tij duhet këndvështruar dhe nga fakti se vjen menjëherë edhe si kundërpërgjigje e deklaratës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që po kërkon bashkimin e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës. Thaçit, që po i duket vetvetja si Zeus e hapi “Kutinë e Pandorës” duke iu shërbyer direkt interesave prosllave antishqiptare nga Ballkani deri në Rusi e gjetkë.
Askush nuk e beson realisht deri në fund Hashim Thaçin se vërtet mundet të bashkojnë Luginën e Preshevës më Kosovën, ndërkohë që e ka hedhur tre herë firmen e tij, edhe në Vjenë, edhe në Podgoricë, edhe në Prishtinë, për Demarkacionin me Malin e Zi, për t’ia dhanë mbi 8 mijë hektarë tokë etnike të Kosovës dardane Malit të Zi.
Thaçi, që i duket vetja piedestal i Kosovës, i zgjoi dhe njëherë nga “shpellat e pansllavizmit” nacionalizmat e vjetër e të rinj të krajlve të Serbisë e të Malit të Zi dhe të Vuçiqëve, Gjuriçëve e Momçillo Vuksanoviqëve që ende kërkojnë të marrin nga tokat etnike shqiptare të Shqipërisë e Kosovës, që ende jetojnë me ëndrren e një “Serbie të Madhe” në Ballkan, qoftë me “korrigjime kufinjsh”, “shkëmbime territoresh”, “federalizim të Ballkanit Perëndimor”, krijimin e “Jugosllavisë së Katërt” (!)