Ajo e mbrëmshmja në sheshin “Abbey largo” në Bari, ishte një natë kujtese dhe apeli për drejtësi për vrasjen e shqiptarit Viktorian Picaku.
Aty ku mbrëmjen e së mërkurës u vra 24-vjeçari shqiptar u mblodhën për homazhe qindra qytetarë italianë dhe shqiptarë.
Ata që e njihnin dhanë mesazhe dhe kujtuan mikun e tyre, ndërkohë ata që nuk e njihnin iu bashkuan thirrjeve për drejtësi.
“Një djalë i qeshur me diell, i cili e donte jetën, erdhi këtu për një të ardhme më të mirë. Ai kishte një zemër të madhe dhe mori në mbrojtje më të dobëtit”, ishte një prej mesazheve.
“Fluturo lart si një shqiponjë e lirë”, shkruhej në një prej pankartave.
Miqtë u bënë pjesë e një fushate për të mundësuar transportimin e trupit të pajetë në Shqipëri, pasi familja nuk ka mundësi ekonomike.
Mediat italiane bëjnë me dije se përmes donacioneve, u siguruan paratë për transportimin e trupit në Shqipëri si dhe ceremoninë mortore.
Një pjesë e madhe e parave u siguruan nga një biznesmen i fuqishëm vendas./a.ç