Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i është shmangur debatit mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Berisha u shpreh dje kundër idesë së Thaçit për korrigjim kufijsh në negociatat me Serbinë. Por në kundërpërgjigje Presidenti Thaçi tha se nuk i duhen këshillat e të larguarve me votë masive nga skena politike dhe i kujtoi akuzat për kontrabandë nafte me Serbinë.
Por Presidenti Meta, në vizitën e tij në Bjeshkët e Rugovës, anashkaloi këto debate duke marrë pjesë në veprimtaritë tradicionale të vendit. Presidenti Meta e nisi ditën duke përshkuar me ecje për rreth dy orë së bashku me kampionin e peshëngritjes Erkand Qerimaj, rrugën që lidh Bogën me Shkrelin.
Me rastin e kësaj vizite, Bashkësia Territoriale Rugovë dhe Këshilli Organizativ “Rugova 2018” i dha Presidentit të Republikës me anë të kryetarit të saj, zotit Vesel Nikçi, titullin “Mirënjohje” me motivacionin “Për kujdesin dhe angazhimin e vazhdueshëm në afirmimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të etnorajonit Rugovë”.
“Shpreh kënaqësinë më të madhe që ndodhem sot në mes të këtyre bjeshkëve të mrekullueshme të Rugovës, të cilat janë vërtet mjaft frymëzuese! Janë vërtet mjaft oksigjenuese. Janë vërtet një burim i pashtershëm i atdhedashurisë dhe i sakrificave për kombin e për çështjen kombëtare,” tha Meta gjatë kësaj vizite.
ma.me