Nuk ndahen manovrimet e tregëtarëve për të futur mallra të skaduara në vend. Së fundi, një sasi prej 11 615 ton birrë është bllokuar në Han të Hotit nga AKU për shkak se afati i skadencës së produktit ishte afër datës së deklaruar në etiketë ose në dokumentacionin shoqërues.
Nga kontrolli fizik i ngarkesës së produktit “birrë” nga ana e trupës inspektuese në pikën doganore të Hanit të Hotit u konstatua se, ky produkt me origjinë nga Estoni – Meksiko, eksportuar nga Mali i Zi, nuk respektonte urdhrin e ministrit Nr.250 dt 29.07.2011 ku ndalohen importet e produkteve në prag skadence.
Sa më sipër, AKU ndaloi hyrjen e ngarkesës në sasinë 11.615 ton në territorin e Shqipërisë dhe kthimin e saj në vendin e origjinës.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, veçanërisht në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, ka shtuar vëmendjen e kontrolleve edhe në pikat kufitare me fokusin tek subjektet që sjellin produktet e importuara duke neglizhuar apo shkelur rregullat e Sigurisë ushqimore.