“Ndryshimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve mund të jenë një përshkallëzim të rrezikshëm” , komenton për DW Johanna Deimel, eksperte e Ballkanit pranë Shoqatës së Studimeve për Evropën Juglindore.
Ndryshimet e kufijve kanë qenë gjithmonë një vijë e kuqe për BE-në dhe Uashingtonin. Atashimi i Preshevës përmendur nga presidenti Thaçi “me një taktikë retorike” faktikisht do të thotë shkëmbim territoresh me pasoja të paparashikueshme për të gjithë rajonin: për Maqedoninë, që sapo ka marrë ftesën e antarësimit në NATO, për Bosnjen dhe Hercegovinën dhe për serbët, që jetojnë në jug të lumit Ibar në Kosovë.
Një destabilizim nuk mund dhe nuk duhet të jetë në interesin e BE-së dhe të vendeve anëtare të tij dhe as në rajon. Tani kur kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet nga pavarësia e Kosovës rikthimi tek ideja e atashimit të Preshevës dhe heqjes dorë prej veriut të Kosovës mund të shkaktojë një përshkallëzim të rrezikshëm – madje edhe provokues. Nëse vërtetë pas dyerve të mbyllura në Uashington zhvillohen bisedime serioze për një shkëmbim territoresh, atëherë Brukseli do të humbiste kontrollin. Kjo do të kishte si pasojë dështimin e të gjitha përpjekjeve të nismave në frymën evropiane për vendosjen e ekuilibrave dhe afrimin – duke përfshirë këtu edhe vet dialogun e Brukselit mes Beogradit dhe Prishtinës.
a.ç