Nga janari në Shqipëri kanë ardhur 1.4 milionë të huaj, nga këta 300 mijë kanë vizituar Tiranën si turistë. Këtë vit është shtuar numri i atyre që qëndrojnë disa ditë në kryeqytet, jo vetëm në hotele, por edhe apartamente.
Kurioziteti dhe çmimet e ulëta janë arsye kryesore. Top channel sjell rrëfimin e disa të rinjve holandeze të cilët Tirana i ka tërhequr.
Gjatë xhiros me makinë ne Tiranë, grupi i turistëve nga Amsterdami na tregon së pavarësisht se nuk i kuptojnë tekstet e këngëve shqiptare, I përkufizojnë ato si këngë të lumtura, plot energji e pozitivitet.
Të surprizuar mbeten me shijen e kafes turke, likerit tradicional shqiptar dhe karameleve Zana.
Aira dhe Fenna udhëtojnë shumë. Ato thonë se edhe pse Shqipëria është një vend i vogël, kurioziteti për ta vizituar ishte i madh.
“Rrallë kam dëgjuar të flitet për Shqipërinë në fakt”, shprehet Fenna de Graaff,turiste
“Gjithashtu mendoja se këtu nuk kishte njerëz që flisnin anglisht, sepse kisha idenë që askush nuk e vizitonte atë”, shton Ayra Gerlach, turiste.
Para planifikimit të pushimeve në Shqipëri, vajzat u përgatitën nga ana financiare. Por shpenzimet e parave, nuk po shkojnë sipas parashikimeve.
“Në krahasim me Amsterdamin është shumë lirë këtu, megjithatë ne jemi ende student dhe s’duam të harxhojmë shumë. Për shembull, kafja, e pashë në menu që kushtonte 60 lekë, ndërkohë që në Amsterdam do paguaja 3 euro”, shpjegon Ayra Gerlach, turiste.
“Në ditë mund të them se kam harxhuar, ndoshta 2 000 lekë,së bashku me fjetjen. Vetëm hosteli 9 euro që shkoi te 1 100 lekë”, thotë Fenna de Graaff.
“Diku te 2 500 lekë në ditë, bashkë me akomodimin. Nuk jam i sigurt, por këtu është vërtet lirë. Mendoj se do të kthehem sërish”, shpjegon James White-turist.
4 të rinjtë do të pushojnë dy javë në Shqipëri. Dy net në Tiranë, e më pas përreth brigjeve të jugut. Drejtoresha e Turizmit në Bashkinë e Tiranës, thotë se ata nuk janë të vetmit.
“Në Tiranë 300 mijë turistë të huaj. Vëmë re që nga viti në vit janë rritur ditët e qëndrimit, pasi e shfrytëzojnë Tiranën si një bazë dhe më pas bëjnë intenerare ditorë të ndryshëm. Pra, qëndrojnë më shumë se dy tre ditë në Tiranë”, u shpreh Mirela Kocollari, Drejtoreshë e Turizmit, Bashkia Tiranë.
/b.d