Në intervistën për Vizion Plus, kryebashkiaku Veliaj prezantoi disa nga projektet që janë parashikuar për këtë vit, si Bulevardi i ri, transformimi i Piramidës, ndërtimi i shkollave të reja etj.
“Ne po ecim me bulevardin, jo vetëm të madhin e Tiranës, por me bulevardin e madh në Kashar, jo vetëm disa rregullime të vogla, por mbaruam Pazarin, sheshin “Skënderbej”, këndin e Lodrave. Tani do fillojmë me piramidën, pastaj me Teatrin, kështu që ditët e vështira për Tiranën kanë kaluar, por është ende një vend sfidues, përsa kohë që qyteti rritet përditë. Po tre vjet rresht unë falënderoj zotin që më ka dhënë mundësinë e jetës sime për të bërë atë që dashuroj, që është të punoj për qytetin tim”, tha ai, teksa shtoi se Piramida do të jetë projekti i radhës që do të jetë një tjetër xhevahir i kryeqytetit.
“Te piramida besoj se u diskredituan aq shumë nga Edi Rama kur tentuan që ta prishnin dhe të bënin aty një teatër dhe kam hall që po të futeshin në debat aty do ju kujtonin të gjithëve se harxhuan 5 milionë euro dhe nuk bënë dot asgjë. Projekt tjetër është një kënd i dytë lodrash që kemi filluar te liqeni, që do t’i shërbejë pjesës se komunitetit të njësisë 5, Liqenit të Thatë, Kopshtit Zoologjik, Kopshtit Botanik. Po punojmë për të përfunduar shkollën Kosova, ndërkohë po mbaron shkolla “Servete Maçi”, një supershkollë me një dizajn fantastik dhe do hedhim themelet brenda këtij viti të 17 shkollave të reja. Mezi po pres që për herë të parë të kemi zgjedhje lokale, nuk ka rëndësi kush fiton, por për herë të parë nuk do të flitet më për shkolla me dy turne se do të jetë proces i zgjidhur”, deklaroi ai.
Më 30 korrik u bënë edhe 3 vjet që nga koha kur Erion Veliaj mori detyrën për të drejtuar Bashkinë e Tiranës. “U mbushën 3 vjet edhe besoj që i kemi qëndruar besnik atij betimi, për të qenë non stop në shërbim të qytetit të Tiranës, të qytetit ku unë kam lind, ku unë jam rrit, qyteti që po ndryshon çdo ditë, qyteti që është kthyer në një mini Amerikë, ku njerëzit shohin aspiratën e tyre, shohin te Tirana vendin e mundësive. Ndaj edhe jam krenar me punën që ka bërë skuadra jonë dhe ka qenë e gjitha një përpjekje e një ekipi njerëzisht që çohen me idenë fikse për Tiranën në mëngjes dhe me idenë fikse çfarë bëmë për Tiranën sot”, tha Veliaj, i cili deklaroi se nuk ka asnjë ditë në kryeqytet që Bashkia të mos ketë përfunduar një punë konkrete duke përmirësuar jetën e qytetarëve të saj.
“Unë besoj se janë të rralla, në mos asnjë ditë, kur te ketë perënduar dielli mbi Tiranë dhe të mos kemi pasur një rezultat konkret. Pothuajse çdo ditë, unë e them me shaka, pula jonë ka bërë një vezë. Një ditë ka qenë një çerdhe, një kopsht, një shkollë. Mbaj mend vitin e parë, viti i parë ka qenë një vit traumatik, viti i emergjencave. Ne filluam me çerdhet, me kopshtet, me shkollat. Mbaj mend që buxheti ishte troke, duhet të shëndoshnim financat e bashkisë, ndërkohë që koha nuk priste. Kishim vetëm një muaj kohë, gushtin, para se të fillonte viti i ri shkollor dhe fakti që u mobilizua i gjithë qyteti dhe na dha një dorë, dhe unë jam pafundësisht mirënjohës. Sot jemi në një situatë ku bashkia është më e fuqishme dhe ka mundësi të bëjë kryevepra, jo vetëm vepra”, nënvizoi ai.