Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Michele Elia, Menaxher i TAP në Shqipëri vizituan një nga sitet e gërmimeve arkeologjike në gjurmën e gazsjellësit TAP në Shqipëri, ku janë zbuluar vendbanime të periudhës prehistorike e deri në mesjetën e vonë, si dhe shumë objekte arkeologjike.
Projekti i ndërtimit të gazsjellësit TAP është zhvilluar paralelisht me proceset arkeologjike.
“Dua të theksoj se gazsjellësi TAP është një ndër bashkëpunimet më të mira që ne kemi me zhvillimet industriale dhe që tregon në të njejtën kohë që nuk janë të papajtueshme trashëgimia kulturore dhe zhvillimi industrial i vendit, mjafton të këmi bashkëpunim dhe të ruajmë standartet”- u shpreh Kumbaro.
Ndër rajonet ku janë zbuluar më tepër site arkeologjike janë Korça, Berati dhe Skrapari. Përmes këtij projekti është krijuar mundësia të zbulohen site arkeologjike dhe vendbanime të rëndësishme për njohjen, hulumtimin dhe ekspozimin e trashëgimisë sonë arkeologjike.
Michele Elia theksoi se “TAP është shumë i vëmendshëm në këtë projekt, nuk sheh vetëm ndërtimin e tubave, që në fakt është tërësisht infrastrukturë, por edhe gjithçka me të cilën përballet në rrugëtimin e saj kthehet në oportunitet për territorin, qoftë nga pikëpamja sociale ambientale, apo kultore. Ne jemi të impenjuar të ruajmë nivelin më të lartë të standarteve, jo vetëm rajonale por edhe ndërkombëtare”.
Nga gërmimi arkeologjik i shpëtimit deri tani janë zbuluar rreth 600 varre, reth 11 site arkeologjike, të cilët datojnë nga periudha Helenistike, periudha prehistorike (bronzi i vonë), e deri në periudhën Otomane. Këto materiale janë në proces studimi. Me shumë interes arkeologjik në këtë gërmim është zbulimi i një vendbanimi të periudhës neolitike.
“Në të gjitha sitet e hapura që realizohen në bashkëpunim me arkeologët, jo vetëm gërmimet kanë qenë interesante, por ka qenë një treg pune shumë i rëndësishëm për punonjësit e trashëgimisë kulturore. Kemi mbi rreth 100 arkeologë dhe ndihmës arkeologë të punësuar, që tregon se potenciali I zhvillimit industrial sjell dhe potencial te zhvillimit të tregut të trashëgimisë kulturore”- u shpreh Kumbaro.
Realizimi i gërmimeve arkeologjike, zbulimi i siteve të reja arkeologjike po mundësohet vetëm falë projektit TAP, përgjatë zbatimit të të cilit janë zbatuar kriteret dhe standardet më të larta të zbatimit të ligjit në fushën e trashëgimisë kulturore.