Nga blloku i banimit në zonën e Doganës, ku ka inspektuar përfundimin e punimeve për rikualifikimin e zonës, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i ka përcjellë mesazh anëtarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak. Teksa vlerësoi përfundimin e projektit për rehabilitimin e 35 segmenteve rrugore, duke përfshirë ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore dhe shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellës kanalizimeve, Veliaj tha se është “shpresëplotë se edhe minoranca e zhurmshme që saboton punët e qytetit, do na bashkohet për Tiranën”.
“Jam shumë i lumtur që kthehemi pas një viti dhe në dallim nga hera e parë, me çizme e kambale, sot jemi në një situatë si dita me natën. Jo vetëm që infrastruktura këtu ishte e ngjashme me Kandaharin, por krijohej trafik, pluhur, baltë e llucë. Ndërkohë sot, jo vetëm që s’ka trafik sepse secili mbaron punë shpejt në rrugicën përkatëse, por kemi transformuar një bllok me 35 rrugë. Këtë frymë për mbarëvajtjen e punëve në Tiranë ende nuk e kemi parë, megjithatë jam shpresëplotë se duke shtrirë gjithmonë dorën, ne që duam punë dhe që duam qytetin, besoj se edhe ajo minorancë e zhurmshme që do të sabotojë punën në qytet do të ketë mundësi të na bashkohet në këtë vit të fundit, për të thënë edhe ata që dhanë një kontribut modest për mbarëvajtjen e Tiranës”, tha Veliaj.
Ai theksoi se tashmë është koha që edhe ata që kishin në dorë të bënin diçka për Tiranën dhe nuk e bënë, të bashkëpunojnë përtej bindjeve politike, për vendime të rëndësishme për qytetin.
“Unë e kuptoj se jo të gjithë punojmë me të njëjtën dëshirë dhe dashuri për qytetin. Ka disa që nuk u vjen mirë pse qytetit po i shkojnë punët mbarë, megjithatë them se është mirë edhe për ata. Një qytet që funksionon, një qytet që është i pastër, një qytet ku njerëzit e duan njëri-tjetrin, është mirë edhe për ata. Edhe për ata që e kishin në dorë dhe mund ta kishin ndryshuar Tiranën, por humbën një shans për ta bërë dhe do të duhet që tani të bashkëpunojmë të gjithë, përtej të majtës dhe të djathtës, për vendime të rëndësishme për qytetin”, theksoi Veliaj.
Gjatë inspektimit, ai theksoi se pas legalizimit të ndërtimeve informale, bashkia po vijon punën për urbanizimin e këtyre zonave, duke u krijuar banorëve të ardhur nga e gjithë Shqipëria kushte më të mira jetese.
a.ç