Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me koordinatorët e bashkëqeverisjes me qytetarët deklaroi se në muajin shtator do të nisë reforma e bashkimit të institucioneve që merren me trajtimin e pronës.
Ai tha se siç është pohuar edhe më herët, synim është që Hipoteka dhe ALUIZN-i të jenë në një institucion.
Mes të tjerash ai tha se në fund të këtij mandati është vendosur si qëllim që titujt e pronësisë të jepen më shpejt përmes një programi dixhitalizimi.
“Në shtator jemi gati të lançojëm reformën që kemi filluar që të punojnë që verën e shkuar. Reformën e bashkimit të institucioneve të pronës, për të pasur një agjenci kombëtare të pronës. Për të mos shkuar e ardhur mes institucioneve, por për të pasur një institucion dhe një drejtim. Kjo reformë do të jetë rrënjësore dhe do të racionalizojë burimet njerëzore. Do të mundësojë një ecuri të shpejtë” – tha Rama.
Kreu i ekzekutivit u shpreh se në fund të mandatit pritet të ketë një lehtësi për dhënien e titujve të pronësisë, përmes një programi dixhitalizimi.
/b.d