Artur Malaj është gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit prej korrikut të vitit 2013. Ai do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces nga Genta Tafa (Bungo), Suela Zhegu dhe Pamela Qirko.
Artur Malaj ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai ka drejtuar Gjykatën e Vlorës nga viti 2004 deri në vitin 2013; kur u emërua nga presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Malaj ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Artur Malaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Artur Malaj zotëronte një pasuri me vlerë 750 mijë lekë në vitin 2003-viti i parë i deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë. Referuar deklaratës së tij fillestare, ai kishte 4500 metër katrorë tokë të përfituar nga ligji 7501 dhe ai i kthimit dhe kompensimit të pronave, një automjet dhe 300 mijë lekë kursime në cash.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtarit Malaj rezulton e rritur me 47 herë, duke kapur shifrën 35.5 milionë lekë. Pasuria familjare e zotit Malaj ndahet në 27.9 milionë lekë likujditete në bankë, 7.2 milionë lekë pasuri të paluajtshme dhe një automjet në vlerën e 300 mijë lekëve.
Për periudhën deklaruese 2003-2017, të ardhurat familjare të gjyqtarit Malaj janë 60.8 milionë lekë. Peshën kryesore të të ardhurave e zë aktiviteti i bashkëshortes si notere me 72.4 për qind të totalit. Paga si gjyqtar e subjektit të rivlerësimit zë vetëm 25.3 për qind ndërsa 0.3 për qind e totalit përbëhet nga të ardhurat e siguruara nga mësimdhënia.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, nga të cilat njëra prej tyre rezulton me probleme me një shumë të pambuluar prej 1.2 milionë lekësh.
Më konkretisht, në deklaratën e vitit 2014 bashkëshortja e zotit Malaj deklaron hapjen e një depozite bankare në shumën 90 704 euro. Burimi i deklaruar i kësaj depozite është pakësimi i kursimeve në cash ndër vite në vlerën 82 450 euro; por referuar deklarimeve periodike, kursimet në cash llogariten deri në atë moment në rreth 6 milionë lekë.
Gjithashtu, në vitet 2006, 2007 dhe 2008 bashkëshortja e subjektit deklaron likujditete në bankë nga të ardhurat e aktivitetit të saj si notere, por nuk ka shënuar në rubrikën përkatëse sa është fitimi neto nga këto të ardhura.
Për vitet 2005-2017, rezulton se familja Malaj ka siguruar më shumë se 44 milionë lekë të ardhura nga aktiviteti i noterisë.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Marre nga Reporter.al