Arkitekti dhe artisti i njohur Maks Velo akuzoi dje kolegët e tij artistë, të cilët e kishin raportuar në Sigurimin e Shtetit gjatë kohës së diktaturës. Gjatë promovimit të materialeve të dosjes së tij të Sigurimit të publikuara në një libër, Velo tregoi se si vetë artistët e kishin akuzuar atë për modernizëm dhe dekadencë. Velo e cilësoi Lidhjen e Shkrimtarëve një qendër të ish-Sigurimit të Shtetit, ku analizoheshin dhe kontrolloheshin të gjitha punimet artistike qoftë në letërsi, ashtu dhe në artet e tjera. Dhe ishin, sipas Velos, po artistët e Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilët bënin analiza artistike dhe ideologjike të veprave artistike të kërkuara nga Sigurimi i Shtetit.
Duke cituar një emër të përveçëm, Llambi Blido, Maks Velo tha se ai kishte bërë 27 denoncime, të cilat i ka hedhur poshtë dhe Sigurimi i Shtetit si të pavërtetuara. Ai akuzon Edison Gjergon apo Safo Markon, të cilët edhe ishin të goditur nga Sigurimi i Shtetit dhe bashkëpunonin me të. Me trishtim dhe aspak optimist për të ardhmen, Maks Velo shprehet se nuk po i ndahet përndjekja dhe në ditët tona. Velo tregon se pasi i kanë marrë shtëpinë e gjyshërve në Dardhë të Korçës, e kanë penguar të shkojë në fshatin e të parëve, madje duke e kërcënuar. Duke denoncuar edhe nivelin aktual në arte, Velo kërkon veting si ai i gjyqtarëve, edhe për artistët. Por dëshpërimin më të madh arkitekti e lidh dhe me Teatrin Kombëtar. Sipas tij, vendimi për të prishur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar një Teatër të ri bashkë me një kompleks kullash, Maks Velo e cilëson korrupsion të pastër. “Të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme”, shprehet Velo.
Maks Velo
Libri është i rëndësishëm për disa arsye. Unë kam vite që e them se Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ka qenë një tmerr. Kur e thosha këtë, të gjithë më dilnin kundër. Tani kur lexon librin, e kupton që kjo është e vërteta. Po ashtu dhe ai dokumenti që doli dje te “Panorama” për Fadil Paçramin, ekspertizën që kishte bërë Dalan Shapllo dhe Llazar Siliqi për dramat e Fadil Paçramit. Po si mund të futësh në burg një dramaturg meqenëse personazhet thonë këto gjëra?! Që kur ka lindur drama e deri më sot, meqenëse personazhet mund të thonë disa gjëra, duhet të futet çdo dramaturg në burg?! Nuk futet piktori në burg pse nuk të pëlqen piktura e tij. Kjo ishte Lidhja e Shkrimtarëve, ky ishte Dritëroi. Duhet ta kemi të qartë. Dritëroi po të ishte i drejtë, duhet të kishte dhënë dorëheqjen, duhet të ishte larguar.
Ai i dinte të gjitha. Ekspertizat e gjyqit për artistët janë bërë nga Lidhja. Lidhja e Shkrimtarëve nuk duhet të ishte qendër e Sigurimit të Shtetit, kur ajo merrte në analizë dhe kontrollonte të gjithë artistët. Si është e mundur që Llambi Blido ka bërë 27 denoncime dhe duke gënjyer madje, sepse vetë Sigurimi i Shtetit thotë: “Këto informacione që na jep Llambi, nuk na vërtetohen nga anë të tjera”. Ose i jep Llambit çantën që të vijë te studioja ime dhe Llambi do jepte informacione dhe njëkohësisht do jepej informacioni dhe nga çanta që të vërtetonin se kush gënjente. Unë nuk arrij ta kuptoj. Thonë në një vend në dosje, se si është e mundur që Maksi i beson akoma. Po si mund të mos i besoj unë një piktori, një artisti?! Çfarë bëja unë? Unë nuk thosha, do vras Enver Hoxhën! Të shohësh një libër për Pikason me vizatime, nuk është krim.
Sigurisht që janë implikuar shumë njerëz. Për Edisonin (Gjergon) më ka ardhur keq, nuk e besoja se Edisoni bënte raporte. Unë Edisonin e njihja që ishte natyrë e dobët, por në fakt e doja. Më erdhi keq kur lëshoi ato deklarata dhe u ndamë keq në Spaç. Megjithatë, kjo është një gjë e trishtuar, por ne duhet ta analizojmë sepse ka rrezik që kjo histori të na rikthehet në forma të tjera. Dëgjova vajzën e Llambit, që thotë se “babai im ka qenë burri i mirë dhe Maksi nuk di çfarë flet…”.
Si nuk i vjen turp që nxjerr nga goja këto fjalë?! Mua m’u shkatërrua e gjithë familja, babai vdiq i tmerruar, vëllain e hoqën nga kirurg, që ishte kirurg i shkëlqyer në Vlorë, motra shkoi në çmendinë. Çfarë njerëzish janë këta xhanëm?! Çfarë shpirt krimineli kemi?! Nuk arrij ta kuptoj! Si na ka bërë kështu ajo çadra e Urdoglusë?!
Unë mendoja se kisha shokë, kisha artistë rreth vetes, ata ishin përbindësha. Unë vajta të ngushëlloj Safo Markon, se i kishin arrestuar djalin, ajo më raportonte mua te Sigurimi. Nejse, megjithatë mendoj se nuk kemi ndryshuar shumë, po ata artistë janë, vetëm se tani e bëjnë në forma të tjera. Tani nuk të fusin dot në burg, por bllokojnë Galerinë. Tani kemi vetëm një piktor të madh që e cakton dikushi, të tjerë nuk ekzistojnë. Nejse!
Unë mendoj se në jetë kam bërë në mënyrë instiktive detyrën time dhe detyra ime është të krijoj. Sigurisht që jam shumë i trishtuar për këtë ecuri të jetës sime. Në fshatin Dardhë, më kanë marrë shtëpinë e gjyshit e të babait, aty ka lindur babai, ka lindur vëllai, dardharë. Dhe kush e bëri, do thoni ju? Teodor Laço, Koço Çomi, që Maksi të mos vijë në Dardhë. Më dolën me sëpatë në rrugë dhe kur, tani në 2018-n.
Sot është tjetër gjë, nuk të çojnë te Sigurimi i Shtetit, por të dalin me sëpatë. Shko nëpër gjykata po deshe që të gjesh të drejtën tënde. Kam 15 vjet që shkoj gjykatave dhe asgjë. Mesa duket, kështu do ta mbaroj jetën. Kisha gjithë dëshirën për t’i dhënë këtij vendi, por është e pamundur. Sepse problemi është se artistët tanë janë injorantë dhe kur injoranca bashkohet me ligësinë bëhet një eksploziv. Ti nuk i çan dot. Ne po bëjmë vetingun e gjykatës dhe të gjithë po shohim që nuk ka ngjarë në historinë e njerëzimit që një trupë gjyqësore të jetë e tillë. Të dalë gjykatësi të thotë: “Më hodhën 210 mijë euro në dasmë!” Tjetri thotë: “Fitova 50 mijë euro në bixhoz”. Vetingu për gjyqtarët ishte i vonuar, por unë këmbëngul se duhet bërë vetingu dhe për artistët. Sepse vjedhin pa turp dhe nuk bëhet diferenca e atij që vërtet bën një gjë origjinale dhe me atë që vjedh në mënyrë të sofistikuar. Dhe kështu nuk ecet përpara. Do na duhet një kohë shumë e gjatë që gjërat të ndryshojnë. Unë jam shumë pesimist, pesimizëm që ma ka shtuar dhe kjo çështja e Teatrit. Korrupsion më të pastër se me Teatrin nuk ka, të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme. /panorama
ma.me