Dy ditë më parë një shpërthim i fuqishëm ndodhi në zonën e Bathores në Tiranë. Një sasi eksplozivi ishte vendosur në banesën e të dënuarit për vrasje Gazmir Daci.
Fatmirësisht në atë ngjarje nuk pati persona të lënduar ndërkohë babai i Gazmirit akuzonte Saimir Kolaverin për vendosjen e tritolit, me familjen e të cilit Daci ka hasmëri.
Ndërkohë, burimet nga policia bëjnë me dije se kanë ndaluar personin e dyshuar për ngjarjen. Ai është Vilson Brahaj, 23-vjeç. Ky shtetas rezulton me precedentë penalë për vjedhje.
Policia bën me dije zyrtarisht është pikërisht ky personi që shihet në pamjet e kameras së sigurisë teksa vendos tritolin dhe largohet me vrap.
Nga tërësia e veprimeve të kryera dyshohet se ky shtetas kundrejt pagesës ka vendosur sasinë prej 500 gramë lëndë plasëse në banesën e shtetasit XH.D.
Autori i dyshuar pas kryerjes së krimit ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura gjatë kryerjes së krimit, ndërsa automjetin e kishte fshehur në një bodrum afër “Urës së Tapizës”.
Gazmir Daci ka vrarë Dy vite më parë Valmir Kolaverin dhe ka plagosur vëllain e tij Robert Kolaveri i cili ka mbetur i paralizuar. Ndërkohë, vëllai i tyre, Ergys Kolaveri është dënuar për një atentat të dështuar ndaj Gazmir Dacit. Ai u qëllua me snajper në burgun e Vaqarrit por plumbi preku një tjetër person./a.m.
Detajet nga operacioni:
Finalizohet operacioni “Pagesa”
Zbardhet në kohë rekord nga Komisariati Nr 5, ngjarja e shpërthimit të një sasie tritoli në banesën e shtetasit XH.D në Kamëz.
Kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i vendosjes së lëndës eksplozive.
Sekuestrohet automjeti me të cilin autori ka lëvizur dhe transportuar lëndën shpërthyese.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Numër 5 Kamëz, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një punë profesionale si dhe bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, mbrëmjen e djeshme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pagesa”, ku është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 27.07.2018, në rrugën “Martin Camaj” Bathore, ku në banesën e shtetasit Xh.D., është vendosur lëndë shpërthyese, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje:
– V.B, 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz ,Tiranë.
Nga tërësia e veprimeve të kryera dyshohet se ky shtetas kundrejt pagesës ka vendosur sasinë prej 500 gramë lëndë plasëse në banesën e shtetasit XH.D.
Autori i dyshuar pas kryerjes së krimit ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura gjatë kryerjes së krimit, ndërsa automjetin e kishte fshehur në një bodrum afër “Urës së Tapizës”.
Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhënë të tjera .
Sa më sipër në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti të cilin autori i dyshuar e ka përdorur për të transportuar dhe shpërthyer lëndën plasëse në banesën e shtetasit Xh. D.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit V. B, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.