Cristiano Ronaldo ka zbarkuar në orët e mbrëmjes në aeroportin e Torinos, për të filluar zyrtarisht aventurën e tij si lojtar i Juventusit. Ndonëse “transferimi i shekullit” ndodhi dy javë më parë, portugezi mbaroi sot pushimet, për të nisur tashmë punën si futbollist i Juventusit, pas 9 sezonesh te Reali i Madridit.
Gjashtë makina Jeep ishin vënë në pritje të Ronaldos, që prej 3 orësh, ndërsa rreth 30-40 tifozë kishin preferuar t’i uronin sërish mirëseardhjen në aeroport. CR7 do të startojë nesër stërvitjen, së bashku me lojtarët e tjerë juventinë që ishin në “Rusi 2018”, si Dybala, Higuain, Douglas Costa, Juan Cuadrado dhe Bentancour.
Pjesa tjetër e skuadrës së Allegrit ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po zhvillon ndeshjet e vlefshme për International Champions Cup dhe pritet të kthehet në Torino javën e ardhshme.
Gjithsesi Ronaldo do të vijojë me programin e diferencuar, për t’iu bashkuar grupit vetëm më datë 12 Gusht, ndërsa debutimi pritet të bëhet në transfertën ndaj Chievos në Verona, që përkon edhe me ndeshjen hapëse të Serisë A. /ma.me