Që në moshën 14 vjeçare Pjetër Arbnori ishte përfshirë në aktivitetet e grupeve ilegale kundër komunizmit. Shtypte dhe shpërndante trakte. Së bashku me intelektualë të tjerë, mori pjesë në themelimin e një organizate ilegale social-demokrate, programin e së cilës e hartoi vetë. Në pranverën e vitit 1961 u arrestua dhe mbas një procesi të gjatë prej dy vjetësh, u dënua me vdekje. Mbas tre muajsh dënimi iu kthye në 25 vite burg.
Ai vazhdoi aktivitetin kundër diktaturës duke shkruar dhe organizuar të burgosurit kundër regjimit. Për këtë iu shtuan edhe 10 vjet të tjera burg për agjitacion dhe propagandë, si edhe pse shkroi një roman dhe tregime të ndryshme të shkurtra. Ka shkruar ditarin sekret “Lufta për të mbetur njeri”, që ka mundur ta mbajë gjatë 28 viteve të burgut. Ka përkthyer shumë libra nga anglishtja, frëngjishtja, italishtja dhe rusishtja. Kreu dënimin në gusht të 1989 dhe më pas punoi si punëtor në zdrukthtari deri në rënien e diktaturës.
Mes shumë dorëshkrimeve e letrava, nxjerrë në rrugë sekrete nga burgu ai nxori edhe një grumbull fletushkash të vogla(letër cigaresh) në të cilat në vitin 1964 kishte shkruar në burg, këtë trakt politik, të cilin, “Kujto.al – Arkiva e Viktimave të komunizmit” e sjell të plotë së bashku me fotot e dorëshkrimit të rrallë, i cili ruhet në arkivin familjar të Pjetër Arbnorit.
Për të shkruar këtë trakt politik, Arbnori ishte mbështetur në Programin e Partisë Social Demokrate të shkruar prej tij në vitin 1961, arsye për të cilën edhe ishte dënuar fillimisht me pushkatim e më vonë me 25 vite.
Tezat, janë shkruar me majë lapsi në letër cigareje, në të dyja anët, me inteligjencë, kujdes, vullnet të mahnitshëm, fakt, që e bën këtë program, të rrallë e ndoshta unikal për përmbajtjen, për formën dhe për mënyrën në të cilën e ka shkruar.
DISA TEZA MBI VIJËN E PARTISË SOCIAL DEMOKRATE NË SHQIPNINË E SOTME E TË NESËRME
I
Karakteri i pushtetit të sotëm nevoja dhe domosdoshmëria e përmbysjes së tij.
1.Mendoj se po të merret secila tezë veç e veç nuk do të gjindet asgja e re në to; thuejse çdo gja asht thanë prej të tjerëvet në kohë e rasa të ndryshme.
Kombinimi i tezavet njena me tjetrën, kompleksi i përgjithshëm i këtij punimi të vogël ka njifarë vlere dhe noviteti për lëvizjen SD të sotme e sidomos të nesërme në Shqipni. Parimet themelore janë të vlefshme për nji periudhë të gjatë historike (jo përgjithmonë) ndërsa nuancat mund të ndryshohen simbas rrethanavet të reja që mund të dalin.
Nji pjesë e klasës feudale dhe borgjeze, tue pa të pashmangshme vdekjen e klasës së vet, veshën petkun e ri të komunizmit, sakrifikuen nji pjesë të vllazënvet të klasës dhe krijuen për vehte nji parajsë superfeudale dhe superborgjeze në emën të klasës punëtore dhe fshatarësisë. Për vendin tone mund të themi se sistemi i sotëm asht prodhimi i një komploti feudo-borgjez në kurriz të punonjësvet. Persekutohen vetëm ata elementë të klasës feudo-borgjeze që nuk e kuptuen këtë komplot, që nuk u banë agjentë të pushtetit të ri ose që duen me sundue me metodat e vjetra.
Sistemi i sotëm do të shkatërrohet jo sepse na pëlqen ne, por sepse ai humbi klasat shoqnore ku mbështetesh atëherë kur lindi: punëtorët, fshatarët dhe zejtarët. Dhe jo vetëm i humbi këto klasa, por edhe u këthye në nji shfrytzues aq të egër të punonjësvet saqë kapitalizmi i duket popullit në krahasim me te si një parajsë.
Nji nga shkaqet e domosdosë së shembjes së pushtetit të sotëm asht polarizimi i privilegjevet me nji anë dhe mjerimit në anën tjetër. Çdo fitues që i imponon palës së mundun privilegje për vehte, krijon premisat e zhdukjes së vet.
Burokracia, si klasë e re më vehte, asht krijue si qen roje i diktaturës. Ajo asht si kanseri. Po nuk e operove të gjithë, po i le rranjët e saj, ajo e mbyt shoqninë. Ta operosh d.m.th ta vesh në punë prodhuese.
Lufta e klasavet në komunizëm ka natyrë tjetër nga ajo që paraqitet: Diktatura nuk ushtrohet defacto ndaj klasavet të përmbysuna: Pjesa ma e madhe e feudoborgjezisë ose asht në pushtet ose ka degjenerue në nji agjenturë të pushtetit. Diktatura dhe shfrytëzimi ushtrohen kundrejt klasës punëtore, fshatarësisë dhe borgjezisë së vogël.
Sistemi i sotëm në fshat i përngjet feudalizmit ushtarak mesjetar të tipit aziatik. Lidhja e fshatarit me tokën si në bujkrobni, puna e detyrueme, racionimi i përjetshëm i bukës nga shteti, taksat shkatërruese janë tiparet kryesore të situatës në fshat. Në qytet, me që shteti asht pronari i vetëm i mjeteve të prodhimit gjendja asht e ngjashme me periudhën e monopolizimit imperialist të fillimit të shek XX. Veçse ky asht nji kapitalizëm monopolist shtetnor ku punëtori ka nji pronar të vetëm shtetin dhe po qe se ky pronar e braktis ai asht i destinuem me vdek urie. Papunësia kronike, rrogat minimale, ngritja e normavet, mungesa e të drejtavet sindikale minimale, racionimi i ushqimevet janë tiparet e jetës së punëtorit në qytet.
Puna e detyrueme asht çfaqja ma e shëmtueme e sistemit të dhunës. Ajo asht e afërt me socializmin aq sa asht e afërt dashunia e pastër me përdhunimin e femnës. Katër të pestat e “veprave të mëdha” me të cilat krenohen komunistat, janë ba nga puna e detyrueme e të burgosunvet, të interesuemvet dhe të ushtarëvet të punës. Pjesa tjetër me punëtorë mëditës.
Gjithë populli dëshiron ndryshimin e situatës. Cilidoqoftë ai që kontribuon në shpëtimin e popullit, ose përmirësimin e gjendjes së tij, asht ma i mire se të gjithë ata që vetëm andrrojnë për të.
Duhet të kuptojmë se shembja e diktaturës nuk do të vijë në asnjenën prej formavet për të cilat asht shpresue gjatë këtyne vjetëvet nga brezi në brez. I dënuem me vdekje nuk ka as pse të jetojë, as si të jetojë dhe as që mundet të jetojë në fakt. Ai asht i vdekun moralisht.
Duhet të kuptojmë konditat me të cilat ka lindë e asht rritë brezi i ri. Nuk i takon atij të shkrihet me ne por anasjelltas. Sa ma vonë ta kuptojmë këtë aq ma keq do të jetë për ne. Nuk duhet të çuditemi prej mendimevet, aspiratavet dhe shijevet të rinisë, siç mund të jenë çuditë “baballarët” prej nesh, por duke marrë frymën e kohës t’i japim asaj vijën tonë duke i lanë lirinë e veprimit dhe të inisiativës dhe së bashku me të të shkojmë përpara.
II.
Socialdemokracia ideologjia e së ardhmes në Shqipni
Gjithë bota tenton drejt Socializmit. Në forma të ndërgjegjshme ose të pandërgjegjshme, me demokraci ose me dhunë, me evolucion ose me revolucion, me luftë ose me paqe popujt ecin të sigurtë drejt këtij sistemi të ri shoqnor. Reformat themelore ekonomike në kapitalizëm, fillimi i demokratizimit në kampin komunist janë simptoma të socializmit. Në vendet e mbrapambetura, socializmi lind me dhimbje, por kjo s’e pengon në të ardhmen me u ba një nanë e mirë për popullin.
Socialidemokracia mund dhe duhet të bahet ideologjia e së ardhmes në Shqipni. Përderisa populli ynë ka ende në shpinë plagët e kapitalizmit dhe shumë ma tepër të komunizmit, ai as mund të kthehet tek e kaluemja, as mundet me jetue si sot. Kapitalizmi asht teza, komunizmi asht antiteza dhe socializmi asht sinteza në këtë triadë hegeljane të luftës së të kundërtavet.
Filozofia jonë asht materializmi.
Metoda jonë filozofike e shikimit të botës asht dialektika materialiste. Për në çdo proces historik ose natyror zhvillohet nëpërmjet unitetit dhe … Ka kohë që nji pjesë e madhe e udhëheqësve të rij perëndimorë, sadoqë udhëhiqen nga filozofia idealiste janë ba dialektikë praktikë. Kjo i ndihmon ata me i pa me sy kritik veprimet e veta dhe me gjetë rrugë të reja në procesin e zhvillimit historik. Ky asht rezultat i demokracisë.
Po të përdorësh nji helm në dozë të madhe të mbyt, po ta përdorësh në nji dozë të caktueme të shëron. Ky asht nji nga ndryshimet themelore të Komunizmit me Socialdemokracinë. Tjetër ndryshim asht se Komunizmi përdor dhunën si mjetin e parë, për me shtypë shumicën, ndërsa SD-ja e përdor si mjetin e fundit për me shtypë pakicën, kur nuk bajnë efekt mjetet e tjera.
Revizionizmi në komunizmin e sotëm ndërkombëtar asht nji taktikë e re për me arrijtë me pak ndryshime, objektivat e vjetra. Përderisa ai përdor ma pak dhunë, detyrohet me dhanë ma tepër liri dhe asht ma elastik në politikë, SD-ja interesohet që i gjithë Komunizmi Ndërkombëtar të evoluojë në këtë drejtim. Por derisa objektivat e tij mbesin të njëjta, SD-ja nuk ka asnji iluzion për të, e nxit zhvillimin e tij por nuk bashkëpunon me të. SD-ja asht vetëm nji katalizator. Nuk duhet me harrue se çdo rrymë e djathtë në komunizëm përfaqson filizat e rij që dalin nga trungu i premë socialdemokrat i cili i ka rranjët thellë e të shëndosha në masat e thjeshta të partive komuniste.
Ka nji vështirësi të madhe përpara për SD. Komunizmi e ka diskreditue aq tepër fjalën socializëm dhe ka abuzue aq shumë me të, saqë edhe ata njerëz që kanë aspirata të njëjta me SD-në tremben dhe hutohen nga emri i tyne.
III.
Faktorët shtytës të ndryshimit.Rrugët që mund të ndiqen.
Po të nisemi nga mendimi i i drejtë se ne, si njerëz, nuk jemi ëngjuj, nuk duhet të çuditemi as të indinjohemi nga gjithë ato miliona thurrje interesash, intrigash, çfaqjesh të egoizmit, ambicjes etj, etj, që takojmë tek njerëzit. Jo vetëm s’duhet të çuditemi por edhe t’i marrim si nji fakt real si pasqyrim të instiktevet të vetëmbrojtjes, shtimit, ushqimit dhe ruejtjes së llojit, që i kanë gjithë gjallesat. Këto instikte shpesh dalin mbi ndërgjegjen e njerëzvet. Kjo as mund të mohohet, as ka pse të mohohet. Milionat e interesavet të njerëzvet mund të krahasohen me lëvizjet e parregullta që ban secila bletë në grumbullin e bletavet që kanë zgjojtë. Po t’i marrësh në kompleks të gjitha këto lëvizje të ngatërrueme, ato kanë edhe nji kah të përbashkët, drejtimin për në zgjoin e ri. Secila bletë veçant mund të jetë e pa ndërgjegjshme për këtë lëvizje të qëllimshme, të gjitha së bashku janë të ndërgjegjshme, kanë ndërgjegjen kolektive.
SD-tët duhet t’i vënë vetes detyrën që të dalin mbi këtë grumbull të pafund interesash, jo sepse mohojnë interesin ekonomik në themelin e jetës së njerëzvet (pra edhe tek vetja) por sepse ata për interes të gjinisë njerëzore (llojit të vet) dëshirojnë t’i harrojnë interesat e veta si individë.
Acarimi i diktaturës së majtë ka ba qi në mendjet e njerëzvet të rritet ekstremizmi i djathtë. Ekstremizmi i çfarëdo lloji qoftë asht nji faktor shkatërrues dhe jo ndërtues. SD-tët ruhen nga ekstremizmi jo sepse janë humanistë sentimentalë, por sepse ideali SD-at shkon shumë përtej shkatërrimit të së keqes.
Ngrica e madhe nuk asht e kandëshme por e dobishme. Nji vit ngrice sjell nji sërë vitesh të begatshme. SD-tët nuk janë kundër revolucionit dhe çdo diktature. Revolucioni asht i ligjshëm dhe i nevojshëm aq sa asht i ligjshëm fëmija që lind me operacion nga dora e kirurgut. Sot horizonti i së ardhmes nuk asht i qartë sado që asht i sigurtë. Rruga drejt idealit SD-at mund të jetë edhe kjo: Revolucioni – Diktatura e përkohëshme (jo ma se 3-4 vjetë) -Etapa: të mësojmë demokracinë. – Demokracia.
Kurr mos të harrojmë shembullin e madh të A.Linkolnit. Sa mbaroi lufta civile në Amerikë, ai shpalli vllaznimin me ish-armiqtë e dërrmuem që tashma ishin ba të padamshëm.
Qysh prej çastit kur i shtypuni kthehet në shtypës fillon padrejtësia e qëndrimit të tij në fuqi. Qysh prej çastit kur i shtypuni bahet i shtypun fillon e drejta e tij me marrë pushtetin. Kjo kontradiktë zgjidhet vetëm me anën e shpalljes së luftës së të kundërtave. Ne e shohim botën në ndryshim të pandërpremë. Komunistat janë dialektikë me fjalë dhe metafizikë me vepra. Ata nuk lejojnë luftë mendimesh në sistemin e vet. Ata pranojnë se zhvillimi asht produkt i luftës së të kundërtavet, por i dëshirojnë dhe i pranojnë të kundërtat tek armiqtë e vet dhe jo tek vehtja. Për vehte ata pranojnë se janë të përjetshëm, të pakorrigjueshëm dhe të pazavendësueshëm, pra janë metafizikë të shëmtuem.
IV
Shteti: E keqja dhe nevoja e tij.
Duhet me i spjegue popullit se shteti asht nji maqinë shtypëse, peshën e të cilit e ka çdo njeri në shpinë. Detyra e SD-isë nesër asht ta shpërndaj sa ma drejtësisht peshën e kësaj maqine dhe të punojë për lehtësimin e vazhdueshëm të peshës së saj. Barra e shtetit hiqet vetëm kur zhduket shteti.
Por shteti asht nji e keqe e domosdoshme. Duhet të durojmë peshën e tij derisa ekzistenca e tij asht e nevojshme dhe reale për epokën.
Të kesh liri demokratike nuk do me thanë se njerëzit janë të lirë me përdorë edhe dhunën. Vetëm shteti zbaton dhunën në emën të shumicës atje ku ka shkelje të ligjeve. Por dhuna asht shpatë me dy teha: po e përdore shumë, këthehet kundër teje.
V.
Karakteri i pushtetit të nesërm. Programi Social demokrat.
Terma “shoqni e lirë” ka karakter abstrakt, ajo konktretizohet kur të gjithë individët që përbajnë këtë shoqni të kenë liritë reale të sanksionueme me kushtetutë. Liria e fjalës, e shtypit, e mbledhjes, e organizimit, e grevës, e besimit dhe e ndërgjegjes nuk duhet të jetë fiktive si sod, por të sigurueme në mënyrë të tillë, sa që askush të mos i shkeli.
Pushteti politik duhet të jetë organ i punonjësvet: punëtorë, fshatarë, intelektualë prodhues të të mirave materiale. Jashtë këtyne shtresavet askush nuk duhet të ketë të drejtë mbi pushtetin. Të kesh pushtetin politik d.m.th të kesh në dorë pronën mjetin që kënaq nevojat materiale të njerëzvet.
Ka pronë shoqnore, reale dhe abstrakte. SD-ia predikon pronën shoqnore reale d.m.th. pronën që e ka, e administron, e shfrytëzon dhe me të cilën jeton nji komunitet i caktuem njerzish që është kolektivi: punonjës i kësaj prone. Komunizmi i ka dhanë punonjësit vetëm fiksionin e pronës meqënëse këta vetëm shfrytëzohen në atë pronë, por nuk përfitojnë prej saj. Shoqnia në lidhje me pronën, asht e kuptueshme kur konkretizohet në komunitete të vogla të vetëadministrueshme.
Formacionin ekonomiko-shoqnor të nji epoke të caktueme e përcakton pronësia mbi mjetet kryesore të prodhimit. Në secilin prej formacioneve ekonomiko-shoqnore kemi nji lloj prone mbizotnuese por edhe forma të tjera prone që nuk i përkasin atij formacioni. Socializmi ka si karakteristikë pronën shoqnore mbi mjetet kryesore të prodhimit. Por krahas kësaj ekziston prona private mbi parcelën e tokës mbi çfarëdo pasurie të vogël dhe mbi mjete prodhimi të tilla që nuk damtojnë interesin ekonomik të punonjësve. Socializmi nuk e mohon as nuk e mbyt inisiativën e lirë private, përderisa ajo asht nji mjet për gjallënimin e forcave prodhuese, përkundrazi e inkurajon. Shteti e vëzhgon këtë inisiativë ose e kufizon kur kjo futet në brazdën e shfrytëzimit të punonjësvet.
SD-tët nuk i gënjejnë punonjësit me “parajsën e tokës” sadoqë e dëshirojnë lumturinë në jetë. Totali i prodhimit dhe i pasunisë asht afërsisht nji, qoftë nën komunizmin, qoftë nën demokracinë. Themeli i ndryshimit në mes komunistave dhe SD-atëve qëndron tek shpërndarja e të mirave materiale. Prodhimin do ta marrin në rradhë të parë punonjësit, specialistët dhe administratorët. Të fundit në pjesë duhet të jenë udhëheqësit. Ne nuk jemi për barazinë matematike, ne jemi për tendencën drejt barazisë.
Po të merret parasysh se fuqitë intelektuale dhe fizike të njerëzve nuk janë të barabarta, socializmi nuk duhet të shkojë vetëm simbas parimit: shpërblimi sipas punës. Duhet ndjekë edhe parimi tjetër i “sigurimit të mundësisë së jetesës për të dobëtin nga ana e shoqnisë” për me plotësue atë që i ka lanë natyra mangut.
Ekonomia nuk drejtohet vetëm me qëllime të mira por edhe me dije të plota. Meqë këto dije i ka vetëm teknokracia ajo duhet mbajtë ma mirë se populli dhe se udhëheqja. Asaj s’mund t’i imponohet asketizmi i udhëheqjes sepse atëherë humb interesat e shtimit të prodhimit.
Socializmi s’mund të konceptohet pa punën e lirë. Lumturia s’mund të ndërtohet mbi kocka njerëzish. Puna e lirë asht kuptimi i ndërgjegjshëm i faktit se djersa e derdhun shkon direkt në dobi të vetë personit punonjës dhe të shoqnisë mbarë dhe se askush tjetër nuk jeton në sajë të kësaj djerse. Punëtori ka të drejtë të ndërpresë punën qysh nga çasti kur bindet se ai asht objekt shfrytëzimi. E drejta e grevës asht mjet efikas për mbrojtjen e punës së lirë. Nuk mund ta detyrosh njeriun me ndërtue lumturinë e vet me dhunë.
Toka i përket atij që e punon. Ajo as mund të shitet, as mund të blihet. Bashkimi i lirë në kooperativa asht nji e drejtë e punonjësvet. Po ashtu dhe prishja e kooperativave asht në dorën e tyne, fshatari nuk duhet të jetë i lidhun me tokën. Ai nuk asht bujkrob.
Demokracia duhet të jetë e përherëshmja, diktatura e përkohëshmja. Të jesh demokrat i vërtetë d.m.th. me e dorëzue pushtetin. Kur populli largohet prej teje, dhe mos me kërkue pushtetin kur populli nuk jep shumicën. Diktatura duhet të jetë vetëm mjet, demokracia qëllim.
S’mund të konceptohet asnji pushtet demokratik pa opozitë. Opozita në momente të caktueme përfaqëson tëkeqen, të padrejtën, por në rastet kur partia në fuqi humb rrugën opozita përfaqëson të vërtetën, të drejtën, të renë në potencë. Ta lejosh armikun me qëndrue në opozitë nuk don me thanë me e dashtë atë, por me kontrollu vehten si në pasqyrë nëpërmjet tij.
Sigurimi i së drejtë së pakicës për me u ba shumicë, me mjete demokratike, duhet sanksionue me kushtetutë. Shpesh partia në fuqi duke e fillue nji punë drejtë e mbaron atë shtrembët. Po të mos ketë opozita, si palë e drejtë, mundësinë me ardhë në fuqi tue marrë votat e popullit që anon nga ajo, demokracia asht fiktive. Atëherë pengohet progresi.
Me zgjedhë don me thanë me i vu gishtin asaj që pëlqen në mes të disa të tjeravet. Me zgjedhë kur ka vetëm nji kandidat dmth mos me zgjedhë fare. Në çdo zgjedhje duhet të ketë detyrimisht dy palë që luftojnë ose edhe ma tepër.
Fati i socializmit nuk asht i lidhun me fatin e personavet ose partivet të caktueme pavarësisht nga emni i tyne. Nuk ka randësi emni i personit ose i parties, ka randësi kontributi që japin për kauzën. Disa me qëllim që të rrijnë për jetë në pushtet, ndërsa disa të tjerë sepse nuk e kuptojnë procesin historik, zhdukjen ose zavendësimin e vet e identifikojnë me humbjen e socializmit. Socializmi asht nji proces i natyrshëm, i vetvetishëm e i pandalshëm. Njerëzit veç mund ta shtyjnë ose ta frenojnë procesin përkohësisht.
Cilidoqoftë ai që gjindet në krye të pushtetit, sado idealist e i zoti qoftë, do të turbullohet nga madhështia e vendit ku qëndron. Që të mbrohemi nga dehja e tij, duhet të krijojmë nji organ kontrolli të përhershëm i cili mos ta pengojë me udhëheqë por ta pengojë me vu diktaturën. Ky duhet të jetë nji lloj ostrakizmi i ri.
Rotacioni i udhëheqjes asht nji tjetër mjet efektiv për evitimin e diktaturës, për përtëritjen e politikës dhe për marrjen e inisiativave të reja. Askush, për asnji arsye, nuk duhet të rrijë në pushtet ma tepër se koha e parashikueme në Kushtetutë. Kushdo që zhduk personin që abuzivisht qëndron në pushtet mbas afatit, duhet të jetë i papërgjegjshëm para ligjit dhe i nderuar nga populli.
Mjeti ma efektiv për largimin e karrieristave dhe i interesaxhinjvet nga pushteti, dhe për njohjen e njerëzvet idealistë asht jetesa asketike e udhëheqësvet. Me jetue si populli, me hangër si populli, me u veshë si populli dhe me punue dhjetëfish ma tepër se ai kjo asht detyra e udhëheqjes së nesërme. Postet shtetnore duhet të jenë barrë e randë shoqnore dhe jo privilegj. Udhëheqësit duhet të heqin dorë nga çdo pasuri. Llogaritë e tyre personale duhet të paqyrohen imtësisht në shtyp. Në këtë mënyrë udhëheqësit vuejnë për nji farë kohe, por populli shpëton nga njerëzit e këqij thuajse përgjithmonë.
Populli duhet të mësojë me duartrokitë shumë pak. Ai ma mirë do ta bënte me i besue ma pak herojvet. Ai s’duhet të harrojë kurr se edhe njeriu ma i dashun për të, mund të tradhëtojë, mund t’i rrëshqasë kamba ose të gabojë, po qe se në vend të synit kritik do të ketë lajka ose lavdata nga të katër anët.
Masat efektive për mbrojtjen nga diktatura nuk duhet ta pengojnë në asnji mënyrë atë që udhëheq që të punojë, të drejtojë, të urdhnojë. S’ka kuptim udhëheqja e shtetit pa nji pushtet të plotë, pa kompetenca të gjana.
SD-ia i ka dyert e hapuna për masat besimtare, bile nxit afrimin me to pa cënue besimin e tyne. Besimi (jo fanatik) për masat asht nji cilësi shumë pozitive që ndihmon përmirësimin moral të njerëzvet në çfarëdo epoke e sistemi. Sigurisht SD-tët do të dëshirojshin dhe predikojnë që njerëzit të përmirësohen shpirtnisht, të jenë të bindun ndaj së mirës dhe të urrejnë të keqen, jo nga friga e Zotit, por nga ndërgjegja e tyne. Përderisa kjo nuk mund të arrihet sod me anë të ndërgjegjes, pse të mos arrihet me anë të besimit me Zotin? Elementa të Socializmit gjinden në çdo fe.
Arësimi asht nji faktor revolues në histori. Prirja që kanë nxanësit mos me besue gjithëçka u mësohet. Por me pa me sy kritik dhe bile nganjiherë me u vu në opozitë me arësimdhanësin, qoftë në kushtet e sotme, qoftë në të nesërmet duhet pa si nji fakt pozitiv, që e çon dijen dhe historinë përpara dhe jo si një gja së cilës duhet t’i frikësohemi.
SD-ja nuk e mohon kombësinë. Bile ven në plan të pare nacionalizmin. Nuk mund të jesh internacionalist i mirë, pa qenë shqiptar i mirë. Duhet me u mundue për kombin shqiptar, me ruejtë traditat e mira të tij, me i përmirësue ato dhe me ecë përpara përkrah vendeve të përparueme. Vartësia nacionale ndaj kombeve të tjerë si dhe shovinizmi nuk kanë asgja të përbashkët me SD-inë. Bindja e verbër ndaj kombevet të tjerë të çon në pozita të ulta dhe qesharake, ashtu siç e çoi pushtetin e sotëm.
Internacionalizmi për SD-inë ka kuptimin e miqësisë së popujvet, ndihmës reciproke, interesit reciprok, mosndërhyrjes dhe përkrahjes së hapun për çlirimin kombëtar e klasor.
Nuk ka ndihmë pa interes në botë. Kur interesat e marrësit dhe dhanësit të ndihmës nuk cënojnë pavarësinë dhe jetesën e popujvet përkatës, ndihmesa asht e drejtë. Përndryshe ajo ose asht mjet skllavnimi ose tentativë për të jetue në kurriz të të tjerëve.
Nji shoqatë e kombevet në Ballkan Federata Ballkanike e Kombevet siç e ka rekomandue dikur Institucionalja Socialiste, do t’ishte nji zgjidhje e mirë për problemet e koklavituna kufitare e kombëtare të gadishullit tonë. Theksojmë Federata Ballkanike e Kombeve dhe jo e shteteve. Tek kjo e fundit do të mbetim tek shovinizmi.
Në konditat e sotme, asnjanësia pozitive do t’ishte ideale për Shqipninë. Zhdukja e plotë e ushtrisë, armatimit dhe e shpenzimevet të saj do t’ishte rezultati i parë me randësi politike dhe ekonomike që do të sillte asnjanësia. Ushtria nuk duhet sepse SD-të mendojnë se nuk mund të zgjidhen si duhet të zgjidhen me forcën e armëvet problemet e vendit tonë. Asnjanësia e garantueme nga OKB-ja do të ishte mbrojtja e mirë e vendit tonë.
Duke mbyllë parashtrimin e shkurtë të programit SD-at duhet me folë për politikën e premtimevet. Komunistat, duke mos pasë asgja, i premtuen popullit 1000 gjana e nuk realizuen asnji gja të saktë. Ne, duke mos pasë asgja, i premtojmë popullit pak dhe jemi të ndëgjegjshëm se pa ndihmën e kontrollin e tij edhe “premtimi i paktë” realizohet me shumë vështirësi. Ne e dijmë se barazia e plotë, drejtësia e plotë, liria e plotë dhe zhdukja e plotë e shtetit nuk mund të bahen realitet. Ne jemi për tendencën e vazhdueshme drejt barazisë, drejtësisë, lirisë dhe zhdukjes së shtetit. Vetëm në këtë kuptim shprehja e Bernsteinit “Qëllimi final asht asgja, lëvizja drejt qëllimit asht gjithçka” asht një shprehje e drejtë (Tema).