ATHINE- Është gjendur një mënyrë për të lehtësuar dramën e familjeve të dëmtuara në Greqi. Pak metra larg shtëpive të djegura nga zona ku kanë humbur jetën dhjetëra qytetarë, në një kamp pushimi, janë detyruar të strehohen shumë familje të dëmtuara, njerëz që kanë humbur shtëpinë e midis tyre edhe familje shqiptarësh.
“News24”, njofton se korrespondentja e tyre ka qenë në një nga kabinat ku janë strehuar disa shqiptarë, që ka humbur shtëpinë, dëshmitarë të asaj çfarë ndodhi e që rrëfejnë orët e tmerrit e të hënës në darkë, kur disa zona në Atikën perëndimore u përfshinë nga zjarri.
Rreth 25 familje shqiptare, banorë në fshatin Mati në Atika, që prej 2-3 ditësh po qëndrojnë në kamp. Orenditë, ndërresat, sende personale, gjithçka në shtëpitë e tyre, është djegur.
Ata rrëfejnë se menjëherë pas tragjedisë, shteti grek është solidarizuar dhe ka reaguar njësoj edhe për shtetasit grekë edhe për shqiptarët, duke u siguruar strehë, ushqim dhe rroba.
E megjithatë ata janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre, sepse tashmë kanë mbetur në qiell të hapur. Ndërkaq, në kampe të tjera janë dëmtuar familje të tjera të dëmtuara. (BW)