Arkeologët i datojnë mbetjet e mureve, që zënë një sipërfaqe prej gati 200 metra katrorë, në shekullin e 2-të. Ekspertë të arkeologjisë thanë për gazetën “Kölner Stadt-Anzeiger” se biblioteka e lashtë qe ndërtuar në forumin e një ish-vendbanimi romak mes vitit 150 dhe 200 të Erës Sonë.
“Sipas njohurive tona, kjo është biblioteka e parë romake që mund të dëshmohet”, tha Marcus Trier, drejtor i Muzeut Romako-Gjermanik të Këlnit. Ndërtesa duhet të ketë qenë dykatëshe dhe shtatë deri në nëntë metra e lartë. “Me siguri aty ka pasur mijëra dorëshkrime në pergamenë apo papirus që mund të merreshin hua për t’u lexuar”, tha Trier.
Arkeologët hasën në mbetjet masive të mureve një vit më parë kur nisën punimet për ngritjen e një qendre të re të Kishës Protestante. “Në fillim menduam se ishin mbetjet e një salle takimesh publike”, tha Trier. Por muret kishin ndarje të veçanta, që dukeshin si vend për të mbajtur objekte jo të zakonshme. Këto ndarje në muret e brendshme ndarje kishin një thellësi prej rreth 80 centimetra dhe pas krahasimeve për disa muaj me gjetje të tjera të lashta hulumtuesit arritën në përfundimin: se ashtu si në ndërtesat e lashta në Efes, Pergamon, Aleksandri dhe Romë frëngjitë në muret e Këlnit duhet të kenë shërbyer për mbajtjen e kutive me pergamenë ose papirusë.
Arkeologët gjithashtu supozojnë se në një apsidë në një nga dhomat me kupolë gjysmërrethore duhet të ketë qenë statuja e Minervës, perëndeshës së mençurisë dhe diturive.
Ku ka biblioteka të tjera romake në Gjermani?
Sipas ekspertëve, ndërtesa është biblioteka më e vjetër romake, nga e cila u gjetën mbetje arkeologjike. Por ka shumë gjasa që biblioteka të tilla të ketë pasur edhe në Trier, ndoshta edhe në Augsburg, Mainc dhe Xanten. Këto ende nuk janë gjetur.
Frëngjitë në muret e bibliotekës së Këlnit duhet të kenë shërbyer për mbajtjen e kutive me pergamenë ose papirusë
Kisha Protestante e ka ndryshuar ndërkohë planin e ndërtimit dhe rrënojat do të integrohen në qendrën e re, në mënyrë që një pjesë e mureve të jetë e mundshme të vizitohet.
Megjithëse nga biblioteka më e vjetër e Gjermanisë kanë mbetur vetëm themelet, hulumtuesit do të përpiqen të gjejnë përmes analizave se cila mund të ketë qenë përmbajtja e pergamenëve dhe papiruseve, përgatiti Koha. (b.an)