Të paktën 905 inspektorë që ushtrojnë detyrën e tyre pranë drejtorive, agjencive apo inspektorateve në vend që janë nën “ombrellën” e Inspektoratit Qëndror i janë nënshtruar një testi për vlerësimin e aftësive të tyre profesionale.
Nga ky test ka rezultuar se vetëm 2 për qind e tyre zotërojnë plotësisht aftësitë profesionale në nivel shumë të mirë duke marrë vlerësimin maksimal. Pjesa tjetër dominuese është vlerësuar “mirë” një grup që përbën 43.4 për qind të totalit. Ndërsa pjesa më e madhe e inspektorëve në detyrë kanë shfaqur nevojë për trajnime shtesë gjatë këtij viti në mënyrë që të plotësojnë njohuritë e tyre.
Inspektorati Qendror i jep këto shifra në raportin vjetor të institucionit për vitin e kaluar ku mes të tjerave nënvizon se testimi është kryer në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike.
Sipas shifrave zyrtare 106 – nëpunës u vlerësuan “Jo kënaqshëm”. Këta nëpunës janë të detyruar t’i nënshtrohen një procedure trajnimi pranë ASPA-s dhe një testimi në përfundim të trajnimit, si dhe një periudhë vlerësimi performance 3-mujore.
“Po kështu 387 – nëpunës u vlerësuan “Kënaqshëm”. Këta nëpunës janë të detyruar t’i nënshtrohen një trajnimi brenda një viti pranë ASPA-s, për plotësimin e njohurive ku ata kanë paraqitur dobësi gjatë procedurës së vlerësimit. Të paktën 393 nëpunës u vlerësuan ‘Mirë’ dhe vetëm 19 – nëpunës u vlerësuan ‘Shumë mirë’”, vlerëson raporti.
Inspektorati Qendror ka bërë një vlerësim të përgjithshëm të situatës nëpër inspektoratet që ai ka nën varësi duke theksuar se ka pasur hapa pozitivë sa i përket inspektimeve online por ende në shumë prej tyre ka mungese të vullnetit.
“IQ, thekson se hasja e rezistencës së herë pas hershme për mos vënien në funksion të përdorimit të sistemit “e-Inspektimi”, vjen edhe si mungesë e vullnetit të mirë të disa prej kryeinspektorëve shtetërore. Referuar të dhënave në sistemin “e-Inspektimi”, për vitin 2017, janë kryer inspektime online gjithsej 13.444, krahasuar me 5.060 inspektime online për vitin 2016, pra vihet re një rritje prej 2.6 here më shumë, por përsëri kjo rritje nuk është në pritshëmëritë e IQ” thuhet në raport./monitor/ma.me