Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë ku inspektoi punimet e by-pass-it që po ndërtohet. Në fjalën e tij kryeministri Rama duke theksuar se ky është volumi më i madh i investimeve për këtë qytet shtoi se përmes tyre do të krijohet një konfiguracion i ri turistik dhe ekonomik.
“Me by-pass-in e Vlorës, Transballkaniken, rrugën e lumit të Vlorës që jo vetëm është projektuar por ka marrë dhe mbështetjen financiare nga një institucion i huaj financiar dhe presim të nënshkruajmë kontratën në shtator. Dhe me vijën bregdetare kemi volumin më të madh të investimeve në territor. Bëjmë dhe një investim të madh në këtë periudhë të parë të qeverisjes. Në 2017 do të jetë komplet gjë tjetër. Ne e kemin thënë se do të jetë një ndër vijat bregdetare më të bukura të Mesdheut dhe do ta bëjmë” tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe në zërat kritikë se rëra që po përdoret për shtresëzimin e vijes bregdetare është e një cilësie optimale.
“Për pak ditë lidhet edhe kontrata me Komisionin Europian për financimin e pjesës tjetër. I gjithë kantieri plotësohet sepse kemi pasur tre pjesë të ndryshme. Njëra pjesë është kjo që ka filluar me rërën, për të cilat janë bërë dhe analizat në Itali sepse vlonjatët kishin shqetësim nëse do të ishte rëra e duhur. Rëra ka dalë më një cilësi optimale. Është pritur gjithë cikli i këtij shtresëzimi natyral, ndërtuesit nuk donin gurët për këtë sipërfaqe”, theksoi më tej Rama.