I ashtuquajturi “Gjenerali”, i cili në vitin e mbrapshtë 1997 krijoi një “komisariat policie” në zonën e “Kinostudios” kërkon të lirohet nga burgu.
Nehat Kulla i është drejtuar pak kohë më parë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë me kërkesën për lirim. Burime pranë Gjykatës së Krujës thonë se shqyrtimi gjyqësor është drejt mbylljes dhe se në shtator pritet të merret edhe vendimi për të ashtuquajturin “Gjenerali”.
SJELLJA
Burgu i Fushë-Krujës ka dërguar rekomandime përgjithësisht pozitive për të dënuarin Nehat Kulla. Kështu, në një shkresë të datës 21 qershor 2018, ky institucion shprehet se i dënuari Nehat Kulla, i cili vuan dënimin me 20 vjet e 6 muaj burg në burgun e Fushë-Krujës, ka shfaqur sjellje shumë të mirë me personelin, ashtu edhe me bashkëvuajtësit e tjerë.
“Ai ka zbatuar me korrektësi rregulloren e institucionit dhe nuk është ndëshkuar me masa disiplinore. Rezulton se gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, i dënuari është përfshirë në organikën e të burgosurve të punësuar, me familjarët dhe të afërmit ka marrëdhënie shumë të mira dhe mban kontakte të mira me ta”, shkruan ndër të tjera rekomandimi i burgut të Fushë-Krujës. Gjithashtu, në këtë shkresë, burgu i Fushë-Krujës thotë se Kulla është shpërblyer me 8 leje në total gjatë kohës që ka qëndruar në këtë burg dhe ka qenë korrekt duke i zbatuar ato.
PRECEDENTI
Në po të njëjtën Gjykatë, atë të Krujës, vëllai i Admir Tafilit, Genc Tafili, arriti që të lirohej me kusht. Vendimi u morr në nëntor të vitit të kaluar nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Genc Tafili ishte dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen në bashkëpunim të kolonel Arben Zylyftarit në Shkodër. Atij i kishin mbetur edhe 3 vjet burg për të kryer. Lirimi i tij u komentua gjatë nga politika.
Nehat Kulla ngriti “komisariat” në vitin 1997
Nehat Kulla arriti që gjatë trazirave të vitit 1997, të krijonte një bandë për të ruajtur rendin në zonën ku banonte. Kulla, gjatë kësaj periudhë, së bashku me “ushtarët” e tij, arrin të mbajë të paprekur repartin e “Xhenios” gjatë trazirave dhe hapjes së depove të armëve. Kështu, atij i mbetet edhe nofka “Gjenerali”, prej banorëve të zonës, për të cilët ishte personi më me influencë gjatë trazirave.
Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të “Kinostudios” dhe “Tufinës” një lloj sigurie dhe duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Simbol i Nehat Kullës ka qenë edhe një kamionçinë ushtarake tip “Shevrolet” me targa ushtrie dhe sinjale Policie.
Të paktën atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora. Kulla ishte person i skeduar që para trazirave të vitit 1997. Ai është dënuar gjatë komunizmit për plagosje, ndërsa në dhjetor të vitit 1996 u dënua me 11 vjet burg për vrasjen e Petrit Moriçenit dhe vëllezërve Neziri. Në vitin 1997 arratiset nga burgu, por arrestohet më 12 shtator 1999 në aksin rrugor Peqin-Elbasan.
Në makinën e Kullës, Policia gjeti disa armë, të cilat hodhën dhe akuzën e parë ndaj tij. Më pas, gjatë kontrollit në banesë, u gjet një arsenal i tërë armësh të kalibrave të ndryshëm, armë të cilat Kulla tha në proces se i kishte ruajtur si pronë e Halil Haklajt. Kulla, gjatë shqyrtimit gjyqësor, tha se nuk ishte vrasës, por kishte bërë të pamundurën për të ndihmuar njerëzit hallexhinj, të cilët i kërkonin ndihmë. Ai lirohet nga burgu pas një zbutjeje dënimi në vitin 2000.
Kulla më pas arrestohet në vitin 2005 dhe akuzohet për vrasjen e Halim Gjuzit, në vitin 1998 në Golem, shoferi i ishministrit të Brendshëm, Halit Shamata. Kanë qenë disa dëshmi që kanë parë mjetin me targa ushtarake ato që bënë që Kulla të dënohej me 20 vjet burg për vrasjen e Gjuzit. Vetë Nehat Kulla nuk e ka pranuar asnjëherë vrasjen e ish-shoferit të ish-zv/ ministrit të Arsimit. Ai e dërgoi çështjen e tij deri në Gjykatën Kushtetuese, por pa arritur që të fitojë pafajësi./Panorama