Qeveria Shqiptare ka vendosur të ndihmojë Greqinë me 100 mijë euro.
Lajmi konfirmohet nga Këshilli i Ministrave ndërsa vendimi është marrë sot.
Ndihma për shtetin fqinj synon lehtësimin e pasojave të zjarrit vdekjeprurës që ka prekur Athinën duke shkaktuar të paktën 80 viktima.
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E NDIHMËS FINANCIARE NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR QEVERINË E REPUBLIKËS SË GREQISË, PËR LEHTËSIMIN E PASOJAVE TË DËMEVE TË SHKAKTUARA NGA ZJARRET MASIVE NË KORRIK 2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e ndihmës financiare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për qeverinë e Republikës së Greqisë, në shumën 100 000 (njëqind mijë) euro, për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga zjarret masive të muajit korrik 2018.
2. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në programin buxhetor “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 100 000 (njëqind mijë) eurosh, shpenzime korrente, për t’u përdorur si ndihmë financiare për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga zjarret masive të muajit korrik 2018 në Republikën e Greqisë.
3. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018.
4. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
/b.d