Për shkak të mbarimit të mandatit të gjyqtarit aktual të Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), Shqipëria ka zhvilluar procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve që rekomandohen për ta zëvëndësuar atë.
Kandidatët e përzgjedhur janë 3, mes 16 aplikantëve që përmbushnin kriteret e shpallura.
3 kandidaturat e Shqipërisë janë Darian Pavli, Marjana Semini dhe Sokol Berberi.
Po kush janë kandidatët:
Darian Pavli – jurist me 15 vjet përvojë në disenjimin, koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve që promovojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Nju-Jork, Tiranë (Open Society Justice Initiative, Human Rights Ëatch), përfshirë rajonin e Këshillit të Evropës, ekspert ligjor pranë EURALIUS V, këshilltar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar i Reformës në Drejtësi, përfaqësim të disa çështjeve në GJEDNJ.
Marjana Semini – juriste me përvojë të spikatur në fushën e së drejtës; mbajtëse e titullit “Profesor i asociuar”, profesore e brendshme në Shkollën e Magjistraturës për 20 vjet dhe drejtore e saj (2009-2013), eksperte e lartë e Komisionit të Reformës Ligjore, si dhe e organizatave të huaja (USAID, BB, UNESCO, BERZH etj.), specializime për të drejtat e njeriut, autore dhe bashkautore e disa botimeve.
Sokol Berberi – jurist me përvojë të spikatur në fushën e së drejtës, anëtar i Gjykatës Kushtetuese (prill 2007 – shtator 2016), mbajtës i titullit “Doktor”, profesor në disa disiplina të së drejtës, kontribuues në përafrimin e legjislacionit shqiptar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut etj…
/b.d