Prokurori Elsion Sadiku e ka filluar karrierën në vitin 2006 dhe prej vitit 2010 mban postin e zv.prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Korçë. Ai do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, si pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Procesi i vetingut për prokurorin Elsion Sadiku është realizuar nga trupi gjykues i drejtuar nga Brunilda Bekteshi dhe me anëtarë Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici.
Elsion Sadiku ka mbaruar shkollën e Magjistraturës në vitin 2006, kohë kur është emëruar në Prokurorinë e Korçës. Ai vazhdon të ushtrojë funksionin si prokuror dhe zv.drejtues i prokurorisë së Korçës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Elsion Sadiku nga viti 2006 deri në fund të vitit 2017.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Elsion Sadiku zotëronte si pasuri vetëm kursimet cash në vlerën e 200 mijë lekëve në vitin 2006-kur deklaroi pasurinë për herë të parë. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e zotit Sadiku kap vlerën e 5.5 milionë lekëve.
Pasuria e prokurorit Elsion Sadiku përbëhet nga një apartament me vlerë 4.2 milionë lekësh, një automjet me vlerë 400 mijë lekësh, likujditete në bankë në vlerën e rreth 400 mijë lekëve dhe kursime cash në vlerën e 500 mijë lekëve.
Ndërsa të ardhurat familjare të prokurorit Sadiku kapin vlerën e 19.2 milionë lekëve për vitet e deklarimit 2006-2017. Paga nga funksioni si prokuror zë pjesën kryesore të të ardhurave me 72 për qind, e ndjekur nga paga e bashkëshortes dhe nga aktiviteti i saj si mjeke stomatologe me rreth 20 për qind.
Prokurori ka përfituar të ardhura nga dietat në trajnime dhe seminare në masën 3.5 për qind, nga dhuratat në cash 2.6 për qind dhe mësimdhënia 1.6 për qind.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 12 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme në raportin e mbulimit të shpenzimeve nga të ardhurat.
Në këtë analizë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” transaksionet e kryera për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 108 metra katrorë, vlera totale e të cilit është e paqartë.
Sipas deklaratave periodike të pasurisë, prokurori Sadiku lidhi një kontratë për blerjen e një apartamenti në vitin 2011 dhe e anuloi atë në vitin 2013, duke marrë mbrapsht këstet e paguara deri në atë kohë. Në vitin 2013, ai lidhi kontratë të re për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 108 m2 dhe deri në fund të vitit 2017 ka paguar për të 30 200 euro.
Gjithashtu BIRN evidentoi se prokurori ka deklaruar shpenzime të kryera për blerje pajisjesh në klinikën e së shoqes në vitin 2013, pa dhënë një vlerë për këtë investim. Gjithsesi, informacioni për shpenzimet mund të gjendet edhe në faqen konfidenciale të deklaratës së pasuri, të cilën BIRN nuk e disponon.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
/a.m.