Ministri Ditmir Bushati ka falenderuar sot Gjermaninë për mbështetjen që i jep vendit tonë jo vetëm në reforma, por edhe sa i përket integrimit europian.
Deklarata erdhi sot gjatë një konference të përbashkët me homologun gjerman Michael Roth.
“Siç dihet javën e kaluar, komisioneri Hahn hodhi hapin e parë në proces. Dua që të përfitoj edhe një herë tjetër që të nënvizoj rëndësinë e madhe që ka ky proces” – tha Bushati ndër të tjera.
Ai u shpreh se gjatë bisedës me Roth, në vëmendje ishte edhe përfshirja e shoqërisë civile në proces, me qëllim që të ketë një dozë kritike në kuadër të reformave, shkruan JavaNews.al
“Ne shkëmbyem pikëpamje edhe sa i përket situatës në rajon dhe e vlerësojmë partneritetin me Gjermaninë. Është një vend kritik i ndershëm” – tha Bushati.
Nga ana e tij, Michael Roth u shpreh në konferencë se ka vizituar sërish Tiranën për të përcjellë përgëzimet për Shqipërinë.
Sipas tij, Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian dhe ka marrë tashmë një rekomandim pozitiv për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, shkruan JavaNews.
“Jam i bindur që Shqipëria do të vijojë kursin e reformave. Këtu bëhet fjalë për ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe luftë të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit” – tha Roth.
Ministri gjerman u shpreh se me Vettingun, Shqipëria ka nisur një rrugë që nuk ka të dytë në mbarë rajonin.
“Me Vettingun ju keni treguar se ky proces ka qenë i suksesshëm. Fakti që deri tani 14 gjykatës dhe prokurorë janë shkëputur nga sistemi, tregon se shqiptarët e kanë kuptuar që qeveria është serioze” – tha Roth në konferencën me ministrin Bushati.
Roth, u tregua jo pak kritik kur theksoi se politikanët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, e të mos pengojnë integrimin.
/b.d