Nga Fatmir Merkoçi
Vetting-u ka nisur. Me apo pa short, gjyqtarë e prokurorë po paraqiten para tij. Nëse e shikon me një sy të lirë, çdo gjë duket normale. Madje, duket sikur ligji i Vetting-ut po funksionon. Trupa që merret me Vetting-un, nuk dihet ende se, cili ishte kriteri i zgjedhjes së tyre. A kishte ndikim Qeveria Rama në këtë përgjedhje ? Po këta antarë, a e kanë kaluar vallë Vetting-un dhe kush u a bëri atë ? Pyetje që janë bërë me kohë, por përgjigje ende nuk ka.
Në jurisprudencë, ndryshe nga fjala e urtë popullore thuhet se ” heshtja nuk është pohim”. Me pak fjalë, nëse do ta tjerrnim këto pyetje, nuk do dilnim asgjëkundi. Por gjithkush ka të drejtë ta dijë atë, rezultatin final.
Për këtë reformë u shpenzua shumë financiarisht. Gjë që tregon realisht se ka një kosto të lartë. Por sa është vallë kjo kosto?! Askush nuk di të jap një shifër qoftë dhe të përafërt.
Amerika dukej më e interesuar për reformën në drejtësi. Kurse Europa e vuri kusht themelor për hapjen e negociatave. Dukej se vetting-u do nxirrte në skenën e drejtësisë mjaft të korruptuar e të pa aftë profesionalisht. Disa u vet-dorëhoqën, duke menduar se po i shpëtonin ligjit. Të tjerët u larguan nga ligji. Por kish nga ata që e kaluan Vetting-un. Ndoshta kjo është pika ku duhet të ndalemi.
Ashtu si në shumë shkrime të mëparshme kemi theksuar se, Vetting-u do jetë më shumë përzgjedhës, se sa i drejtë. Gjithkush u tregua skeptik. Madje, pati nga ata që kur kritikohej Vetting-u apo reforma në tërësi, deklaronin- kjo është bërë nën ndikimin e Amerikës, Europës apo Venecias. Madje u trumpetua se ishte bërë nga ” specialistë të nivelit të lartë”
Hapi i parë i Vetting-ut ishte mos funksionimi i institucioneve, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Kryeprokurori i Përgjithshëm etj.
Kjo ishte një goditje e rëndë karshi vetë drejtësisë. Emërimi apo “zgjedhja” nga Kuvendi i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, tregoi katrahurën që hyri drejtësia. P.P.P.-ja u zgjodh vetë në mënyrë jo kushtetuese. Kjo tregoi se Kushtetuta nuk funksionon dhe pse e sapo arnuar.
Rasti apo paragjykimi, solli që P.P.P. Arta Marku të thirrej për të kaluar provën e Vetting-ut. Normal që trupa gjykuese do e kalonte. Por çuditshëm dhe në mënyrë të paparashikuar ONM tregoi pakënaqësi. Me sa duket, Ndërkombëtarët, duke qënë të bindur se korrupsioni po fshihesh, atëherë i kujtuan trupës së Vetting-ut se duhej dhe profesionalizmi. Me mirësjelljen e tyre vërejtën mungesën e vetë Arta Markut në këtë përballje. Kjo pasi dhe ish Krye/ Prokurori apo dhe gjyqtarët, përfaqësoheshin me avokatë në këto seanca. Ata me të drejtë kërkuan të dinin, se përse Arta Marku në një rast kishte kërkuar ” arrest me burg”, siç ishte fjala për një person që kalonte limitin e pijes alkoolike. Por a ishte vërtet thelbi ky rast.? Jo nuk ishte. Prokurorët mbushin dhomat e paraburgimit me raste të tilla apo të ngjashme me to. Niveli i hetimit nga prokuroria mbetet për të dëshiruar. OMN e solli si rast, për ti kujtuar vetë P.P.P-së e Arta Markut se ligji nuk është i njëjtë për të gjithë, nga vetë organi i akuzës që ajo drejton. Ndoshta për ti sjellë në vëmendje dhe çështjen Tahiri apo akuzat që flenë në sirtaret e këtij organi. Por këtij debati Arta Marku, e komanduara, ju shmang. Ju shmang se dhe vetë ligji e lejon të bëj përfaqësim me avokat.
Ky rast tregoi qartë dhe pastër se edhe vetting-u është institucion seleksionimi. Përse e themi këtë? Nëse do vendosim më një anë prokurorët e të marrim në shqyrtim gjyqtarët, të paktën ata që mbetën në detyrë sipas vendimit të trupës së Vetting-ut, kolegët e tyre u përjashtuan pasi nuk justifikonin pasurinë. Apo edhe kishin dhënë vendime jo profesionale! Por pyetja lind vetvetiu: Po këta që e kaluan Vetting-un, a ishin pjesë e këtyre vendimeve ? A ishin dhe këta në një trup gjykuese me ta ? Rasti përshembull i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo të Gjykatës Lartë. A ishin në dijeni të veprimeve korruptive të kolegëve të tyre? Nëse po, a është i dënueshëm heshtja e tyre?! Sa persona janë në burgje për mos kallzim krimi? Janë vërtetë shumë. Po përse për këta gjyqtar anashkalohet ky nen i ligjit? Mos vallë ky ishte dhe qëllimi i OMN kur kërkoi debat me Arta Markun ? Mendojmë se po. Sot,teza kryesore është se ky sistem ka rënë dhe se kjo reformë është e dështuar. Madje, duket se vendi ka hyrë në rrugën e një diktature, që po duket reale.
Pushteti po mundohet ti njësoj të tre pushtetet në një të vetëm. Me forcën e kartonit, ai po i jep dorë të fortë Kryeministrit, duke e kthyer çdo ditë e më shumë, në një njeri të gjithëpushtetshëm. Ndoshta vetë ndërkombëtarët u mashtruan nga propaganda qeverisëse e cila, fatkeqësisht ka pushtetin e shumicës në Kuvend. Tashmë, vetë ndërkombëtarët duhet të bëjnë të mundur shpëtimin e Drejtësisë në këtë vend. Por, koha nuk mjafton. Në zgjedhjet e ardhshme, nëse do vazhdohet me këtë sistem, diktatura e qeverisë aktuale do forcohet në dëm të shqiptarëve që po zbrazin çdo ditë këtë vend.