Dy persona kanë hyrë në një banesë në Pogradec, për të vjedhur, por janë pikasur nga i zoti i shtëpisë, i cili ka mbetur i dëmtuar, prej dhunës së ushtruar nga grabitësit.
Ngjarja është shënuar mbrëmjen e djeshme, e premte, rreth orës 21:00.
Në polici, është marrë një telefonatë se në fshatin Rëmenj, në banesën e shtetasit A.D., 37 vjeç, kanë hyrë dy persona për të vjedhur.
Efektivët e policisë janë vënë në lëvizje, ku kanë bërë arrestimin e Erjon Ibit, 42 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec.
Ai akuzohet në bashkëpunim me shtetasin A.H,, 40 vjeç, i cili ka mundur të largohet para mbërritjes së policisë, kishin hyrë në katin e dytë të banesës.
Por pasi janë diktuar nga pronari i saj dhe kanë hasur në rezistencën e tij, e kanë goditur këtë të fundit me një mjet të fortë duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.
Erjon Ibi, ka mundur të marrë vetëm disa bizhuteri, të cilat iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Aktualisht nga ana e Policisë, po punohet për kapjen e shtetasit A.H.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Pogradecit, për veprime të mëtejshme./a.m.