NATO reagoi pas komenteve të Donald Trumpit dhe hijeve të dyshimit që ngriti ai mbi nevojën e mbrojtjes së Malit të Zi, qytetarët e të cilit shefi i Shtëpisë së Bardhë i përshkroi si “shumë agresivë”.
Traktati që ne kemi firmosur, tha një zyrtar i lartë i aleancës për agjencinë e lajmeve DPA, është i pakushtëzuar dhe nuk e luan as topi, duke rikonfirmuar kështu moton “sulmi ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve”.
“Klauzola jonë e mbrojtjes kolektive, Neni 5, është e pakushtëzuar dhe e veshur me hekur, që do të thotë se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve. Presidenti Trump e ka bërë të qartë se SHBA është plotësisht e angazhuar për NATO-n dhe Aleanca jonë është më e fortë se kurrë”.
Neni 5, i cili është mbrojtës, synon të pengojë kundërshtarët e mundshëm nga sulmet ndaj anëtarëve të NATO-s. Gjatë Luftës së Ftohtë, shqetësimi kryesor ishte Bashkimi Sovjetik, por gjatë viteve të fundit, veprimet agresive të Rusisë në Evropën Lindore kanë qenë në qendër të vëmendjes. Ukraina dhe Gjeorgjia, të dy vendet që Rusia ka pushtuar në dekadën e fundit, nuk janë anëtarë të NATO-s.
Në një intervistë televizive, Presidenti amerikan ngriti pikëpyetje mbi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e shtetit të vogël ballkanik në rast mësymjeje. Moderatori i “Fox Neës”, Tucker Carlson e pyeti Trumpin: “Përse im bir duhet të shkojë në Mal të Zi për ta mbrojtur atë vend nga sulmet” dhe Presidenti iu përgjigj: “Të njëjtën pyetje kam shtruar dhe unë vetë”.
Gazetari më pas i thotë: “Tani, nuk është se unë jam kundër Malit të Zi..apo Shqipërisë…”
Trump ia kthen: “Jo, por ata janë njerëz shumë agresivë. Dhe mund të bëhen akoma më shumë dhe urdhëro, ja ku e ke Luftën e Tretë Botërore. Dhe kjo është e padrejtë”.
Mali i Zi është anëtari i 29 dhe më i ri i aleancës ushtarake, së cilës iu bashkua qershorin e vitit 2017. Sipas të dhënave zyrtare, ai paguan për mbrojtjen rreth 1,66% të GDP-së dhe me një popullsi prej vetëm 620 000 banorësh, kontribuon në luftën e Afganistanit me më shumë trupa për frymë sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
a.ç