Zhvillimet e orëve të fundit tregojnë se marrëdhëniet greko-ruse kanë hyrë në një pikë kritike. Disa orë pas mesazheve të ashpra që dërgoi Moska drejt Athinës, në lidhje me dëbimin e diplomatëve rusë nga Greqia, ministria e Jashtme greke, me një deklaratë për shtyp, cilëson qëndrimin e palës ruse si shembull karakteristik të mosrespektimit të një vendi të tretë.
“Është një mungesë e të kuptuarit të botës moderne në të cilën shtetet, pavarësisht nga madhësia, kanë autonomi dhe mund të ushtrojnë një politikë të jashtme të pavarur, shumëdimensionale dhe demokratike”, theksohet në deklaratë.
Gjithashtu nënvizohet se një logjikë e tillë negative nxiti katër qytetarët rusë që të ndërmarrin veprime që çuan në dëbimin e tyre, ose në ndalimin e hyrjes në Greqi dhe se çdo veprim i autoriteteve greke është bërë në bazë të provave që disponon Athina, për të cilat pala ruse është shumë mirë në dijeni.
Më herët zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme në Moskë kishte kërcënuar se dëbimi i diplomatëve rusë do të shoqërohet me pasoja, duke theksuar se “pala greke duhet të kishte komunikuar më parë me Kremlinin dhe të mos binte pre e lojërave të ndyra të shteteve të tjera”. Tani vlerësohet se është çështje orësh që të dëbohen tashmë dy diplomatë grekë nga ambasada e Greqisë në kryeqytetin rus.
Sipas zonjës Zaharova, marrëveshja e Prespës për emrin e fqinjit verior të Greqisë nuk ndihmon në stabilitetin e rajonit. Ajo gjithashtu i ka quajtur të pavërteta akuzat e kryeministrit Zaev, që ka deklaruar se biznesmenë grekë të përkrahur nga Rusia, kanë financuar qarqe të caktuara në Maqedoninë e Veriut, për të shkaktuar protesta atje, kundër marrëveshjes në prag të referendumit.
ma.me