Gjatë një seance të gjatë dëgjimore të mbajtuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, prokurori i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Arben Nela, u akzua për deklarim jo të saktë dhe fshehje pasurie, si dhe mungesë burimesh financiare për asetet e paluajtshme të blera nga subjekti dhe personat e lidhur.
Nga Besar Likmeta
Arben Nela, prokuror dhe zëvendës drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u përball të mërkurën në një seancë maratonë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, si pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur gjithashtu si procesi i vetingut.
Trupa gjykuese e KPK-së që mori në shqyrtimi karrierën e prokurorit Nela, përbëhej nga kryesuesja Xhensila Pine, relatorja Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari si anëtare. Prokurori Nela ishte prezent dhe u përfaqësua vetë gjatë seancës dëgjimore.
Arben Nela e ka nisur karrierën në vitin 1998 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier dhe në vitin 2006 ai është transferuar në Durrës, ku ka shërbyer deri në vitin 2008. Në të njëjtin vit Nela është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit është përqëndruar vetëm në kriterin e pasurisë gjatë seancës dëgjimore. Si pjese e vlerësimit të pasurisë së prokurorit të Tiranës, relatorja Etleda Çiftja shpjegoi gjatë fjalës së saj se KPK kishte administruar raportin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, sipas të cilit Nela ka bërë deklarime të pasakta, nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare dhe ka fshehje pasurie.
Si pjesë e hetimit administrativ, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka ndërmarrë një hetim të pavarur të pasurisë së deklaruar të subjektit, ku përfshihen një apartament 99.4 m2 në rrugën Frederik Shiroka në Tiranë, një ndërtesë tre katëshë në Lanabregas me truall 1090 m2 kur prokurori zotërn një sipërfaqe prej 136 m2, si dhe një apartament prej 67 m2 i blerë nga bashkëshortja Brunilda Nela në vitin 2012.
Sipas relatores çiftja për sa i përket apartamentit 99.4 m2 në rrugën Frederik Shiroka në Tiranë me vlerë 41,251 euro, prokurori Nela dhe bashkëshortja kanë deklaruar si burim financiar të ardhurat e tyre nga paga nga vitet 1998 deri në vitin 2006, të ardhurat e bashkëshortes Brunilda Nela nga licenca e projektimit, si dhe një hua prej 25,000 euro nga personi i lidhur P.H – e motra e Brunilda Nelës. Sipas KPK-së, deklarimet e subjektit për këtë pasuri të paluajtshme kanë mospërputhje për sa i përket kohës kur janë bërë pagesat në favor të kompanisë së ndërtimit midis deklaratës veting të vitit 2017 dhe deklaratave periodike të pasurisë në vitet 2004, 2005 dhe 2006. KPK shtoi se për huanë e marrë prej 25,000 euro nga personi i lidhur nuk ka dokumente për kalimin dhe shlyerjen e saj. Apartamenti në fjalë është porositur në vitin 2004 – kur kanë filluar dhe pagesat e kësteve, por kontrata është deklaruar ne ILDPKI në deklariamin periodik të vitit 2006.
Për sa i përket shtëpisë në Lanabregas, të ndërtuar nga prindërit dhe vëllezërit e prokurorit në vitet 1999-2001 – ku ai zotëron një sipërfaqe prej 93 m 2 me truall 1090 m2, KPK shprehet se ka mospërputhje midis deklaratave të bëra nga Prokurori në vitin 2005 si pjesë e procesit të legalizimit dhe deklaratës periodike në vitin 2010. Në vitin 2005 është pretenduar se trualli është tokë publike, ndërsa në vitin 2010 subjekti ka deklaruar se është blerë nga i at Rami Nela. Sipas KPK personi i lidhur ka mungesë burimesh financiare për truallin. Gjithashtu Komisioni shprehet se subjekti nuk e ka deklaruar këtë pasuri dhe ka mospërputhje midis deklaratës veting dhe deklaratave periodike vjetore të viteve 2003-2009. Prindërit e prokurorit gjithashtu kanë mungesë burimesh financiare për ndërtimin e shtëpisë në Lanabregas. Sipas KPK-së vlera e deklaruar nga subjekti e këtij aseti prej 500 mijë lekë është e rreme, ndërkohë që kosto e ndërtimit të tij është 3.4 milionë lekë.
Një tjetër aset problematik për subjektin rezulton dhe një apartament me sipërfaqe 67m2 i blerë në vitin 2012 nga bashkëshortja Brunilda Nela me vlerë 52,677 euro, me burim të ardhurat nga paga dhe kursimet, si dhe një hua të marrë nga e motra, fillimisht për trajtim mjeksor në Itali me vlerë 40,000 euro. Sipas KPK-së subjekti kishte mungesë burimesh në vlerë 12,500 euro për blerjen e apartamentit, si dhe mospërputhje të deklaratës veting dhe deklaratave të subjektit në KPK me deklarimet periodike vjetore për huanë prej 40,000 euro.
Gjithashtu gjatë fjalës së saj relatorja Etleda Çiftja u shpreh se bashkëshortja e subjektit nuk justikonte të ardhurat në vlerë 3.87 milionë lekë nga licenca e projektimit, pasi për këto të ardhura nuk ishte paguar tatimi në burim dhe nuk mund të konsideroheshin të ligjshme. Çiftja e përfundoi fjalën e saj duke nënvizuar se subjekti kishte qenë bashkëpunes gjatë procesit të hetimit administrativ dhe ky fakt do të merrej parasysh nga Komisioni gjatë vendimit.
Në një përgjigje të gjatë dhe të detajuar me referenca të shumta dhe arsyetim ligjor, prokurori Arben Nela i kundërshtoi një pjesë të gjetjeve të KPK-së, kurse për disa të tjera u justifikua se ishin lapsuse të paqëllimshme. Ai e kundërshtoi raportin negativ të ILDKPKI-së dhe nënvizoi se në opinion e tij, ai i kishte deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasurinë, ndërkohë që vlera e aseteve ishte e justifikuar plotësisht me të ardhurat. Prokurori u shpreh se raporti i përpiluar nga ILDKPKI për atë si subjekt vetingu ishte “në kundërshtim me ligjin e rivlerësimit kalimtar, nuk kishte indetifikuar pasuri të fshehura, bazohet në fakte shtrembëruara dhe përbëhet nga interpretime të pabaza mbi huamarrjet.”
Prokurori u shpreh se në vitin 2009, i kishte rënë shorti për hetim të thelluar nga ILDKPKI, e cila në atë kohë e kishte nxjerrë pasurinë e tij të pastër dhe pa probleme. Por ky institucion sot nuk e disponon dosjen e këtij hetimi të thelluar administrativ.
Më tej Nela ndali për një kohë të gjatë në shpjegimin e mospërputhjeve të konstatuara nga KPK për sa i përket apartamentit prej 99.4 m2 në rrugën Frederik Shiroka, duke e justifikuar mosdeklarimin e tij gjatë viteve 2004 dhe 2005, me faktin se ai nuk e kishte marrë në posedim sepse ishte akoma në ndërtim e sipër nga firma. Prokurori më pas u ndal në dokumentimin e pagesave të bëra në favor të firmës së ndërtimit GV Konstruksion – e cila më vonë ishte përthithur nga kompania Alba Konstruksion.
Ai u shpreh se burimi i të ardhurave për blerjen e këtij apartamentin kishte qenë paga dhe kursimet e tij dhe të bashkëshortes, ndërsa pagesat i ishin bërë në favor të firmës së ndërtimit në vitet 2004-2006 në cash, dhe kjo e fundit më vonë i kishte depozituar ne bankë si pagesë në emër të bashkëshortes së tij pa dijeninë e tyre. Nela u shpreh se personi i lidhur PH – motra e subjektit që jetonte në Itali, kishte të ardhura të mjaftueshme për kredinë 25,000 euro. Sipas Nelës paratë për huanë ishin trasnferuar në Shqipëri në cash dhe pjesë-pjesë. Prokurori pranoi se gjatë viteve 2003-2006, në deklaratat periodike nuk kishte paraqitur gjendjen cash, por nënvizoi se këto kursime kanë qenë të ligjshme.
Për sa i përket banesës në Lanabregas të ndërtuar në vitet 199-2001 dhe legalizuar në vitin 2011, Nela u shpreh se trualli nuk ishte ‘blerë’ por marrë në posedim nga një shtetas nga babai Rami Nela, kundrejt një vshume prej 30 mijë lekë në vitin 1994, shumë për të cilën i ati kishte burim të ligjshëm rrogën si mësues. Për sa i përket mospërputhjes së deklaratave për sai përket truallit, i shtyrë të shpjegohet nga përfaqësuesi i ONM-së në seancë, Nela u shpreh se ishte nje ‘lapsus’.
“Nuk ka bërë gabim në vitin 2010, kam bërë lapsus, kam përdorur fjalën gabim” tha ai në përgjigje të pyetjes së përfaqësuesit të Operacionit të Monitorimit Ndërkombëtar Hans Kiljstra.
Ai insistoi se prindërit kishin pasur burime të ligjshme për ndërtimin e katit të parë të banesës, pasi e ëma kishte punuar në një akitivitet privat, por fatkeqsisht ky i fundit nuk i kishte paguar kontributet shoqërore. Ai e kundërshtoi vlerësimin e KPK-së për ndërtimin e katit të parë të shtëpisë me vlerën 3.5 milionë, duke insistuar se ajo kishte kushtar vetëm 508 mijë lekë – sa kosto e materialeve të ndërtimit, pasi prindërit e kishin ndërtuar vetë banesën. Persa i përket dy kateve të tjera të ndërtuara nga vëllezërit, ai kërkoi që këto të fundi të mos konsideroheshin persona te lidhur dhe të mos kishin barrën e provës për të justifikuar pasurinë.
Duke u ndalur te ligjshmëria e burimeve financiare të apartamentit të tretë prej 67m2, Nela insistoi se personi i lidhur P.H. kishte mjaftueshëm të ardhura për huanë prej 40,000 euro që ishte përdorur për të financuar blerjen e apartamentit. Ai shpjegoi se ndryshimi i destinacionit të huase kishte qenë një vendim i marrë nga e shoqja, por hasi në vështirësi të shpjegonte pse një pagesë e bërë për apartamentin në vitin 2012 në vlerë 20,000 euro, ishte deklaruar në vitin 2013.
Gjatë seancës kryesuesja Xhensila Pine insistoi disa herë që Nela të ishte sa më konciz në deklarimet e tij të zgjatura dhe të detajuara. Në përfundim ai i kërkoi trupës gjykuese konfirmimin në detyrë.
“Me provat e paraqitura provohet tërësisht se subjekti dhe pesonat e lidhur kanë burime të ligjshme pasurie,” tha Nela. “Në përfundim të kësaj seance dëgjimore kërkoj konfirmimin në detyrë,” shtoi ai.
Vendimi për prokurorin Arben Nela do te jepet nga KPK me datë 23 korrik or 14:00.
ma.me