Në 6 vjet negociatat, për Hashim Thaçin takimi i sotëm në Bruksel me homologun serb Aleksandër Vuçiç ka qenë më i vështiri edhe pse zgjati vetëm pak minuta.
Duke folur për mediat pas takimit të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, Presidenti Thaçi tha se Vuçiç shprehu qëndrimin se Kosova akoma shihet si pjesë e Serbisë.
“Ka qenë më i shkurti dhe më i vështiri prej takimeve që kemi realizuar gjashtë vitet e fundit. Serbia ende beson se Kosova është pjesë e tyre. Mashtrohen, gabohen shumë”.
Presidenti i Kosovës theksoi se marrëveshja finale duhet të arrihet dhe se ajo duhet të jetë e dobishme për të dyja vendet.
“Ne ende shpresojmë që do të arrijmë një marrëveshje finale që do të jetë e mirë për Kosovën për Serbinë, dhe për investimin e BE-së. Një marrëveshje që lehtëson të ardhmen e dy vedneve dhe popujve tanë, të sjell mirëkuptim dhe pajtim. Pres vështirësi edhe më të mëdha, pres pengesa. Javët dhe muajve të ardhshëm pres që të jetë edhe më vështirë, por do të vazhdojnë negociatat”.
Në fund, Thaçi tha se Kosova pret njohje formale nga Serbia në fund të dialogut, dhe anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
a.ç