Zbardhja e vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë të kreut e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja tregon se brenda Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka dy arsyetime të ndryshme për sa i përket mënyrës se si do të cilësohen pasuritë e të afërmve të subjekteve të rivlerësimit të fituara në emigracion.
Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për të rikonfirmuar në detyrë të kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja është vendim në radhë që behët me shumicë votash, ndërsa duket se në KPK po përvijohen dy linja të ndryshme mendimi mbi ligjshmërinë ose jo të pasurive të subjekteve të vetingut.
Vendimi i zbardhur së fundmi tregon se shumica e trupës gjykuese që ka votuar pro konfirmimit të gjyqtarit, e përfaqësuar në këtë vendim nga Valbona Sanxhaktari si kryesuese dhe Roland Ilia anëtar, ka një qëndrim “të zbutur” ndaj ndryshimit të deklarimeve në vite duke mos i konsideruar deklarim të rremë që do të detyronte shkarkimin nga detyra të subjektit. Po ashtu shumica ka pranuar arsyetimet e mbrojtjes për paratë e fituara në emigracion, duke cituar këtë të fundit se “70 % e familjeve shqiptare kishin të paktën një person në emigracion, pa dokumente”.Shumica vetë argumenton në këtë pikë se koha e kaluar në emigracion e personave që japin hua është e madhe dhe se gjatë atyre viteve ato i kishin mundësitë të kursenin rreth 1 mijë euro në vit që pastaj ia kanë dhënë hua gjykatësit.
Në krahun tjetër Xhensila Pine, relatorja e çështjes që u veçua në kritikë edhe nga avokati i Dedjas pas marrjes së vendimit, kërkoi shkarkimin e gjykatësit dhe i cilësoi ndryshimet e deklaratave mbi pasurinë si “deklarim i rremë” dhe këmbëngul në paligjshmërinë e pasurive të fituara në emigracion të cilat nuk mund të provohen. Diferenca të ngjashme në qëndrime u gjetën të reflektuara edhe në vendimet për dy kolegët e Dedjas, Altina Xhoxhaj e Fatmir Hoxha.
Ndërkohë Komisioneri Publik, i cili së fundmi apeloi vendimin e KPK-së për të konfirmuar në detyrë anëtarin e Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj, mbajti në apelim një qëndrim mjaft të ngjashëm me grupin e gjykatësve të KPK të cilët këmbëngulin në provueshmëri të plotë të pasurisë dhe nuk kanë pranuar si argument emigracionin dhe punën në të zezë.
Bashkim Dedja, i cili drejton prej vitit 2012 Gjykatën Kushtetuese ku u emërua në vitin 2010, ishte gjykatësi i dytë i saj pas Vitore Tushës që arriti të kalonte rivlerësimin në KPK. Më herët Komisioni rrëzoi gjyqtarët Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxhë, ndërsa anëtari tjetër kësaj gjykate Besnik Ymeraj dha dorëheqjen duke iu shmangur procesit. I fundit në proces është Gani Dizdari, vendimi për të cilin shpallet më 16 korrik. Disa ditë pasi u konfirmua në KPK, Dedja i cili ka punuar në sistemin e drejtësisë që prej fillimit të viteve 90’ foli në një konferencë për mediat duke e cilësuar procesin të ashpër, por “gjë shumë të mirë”.
Arsyetimi mbi paratë e fituara në emigracion
Kreu i Kushtetueses Bashkim Dedja paraqiti në justifikimin e pasurisë së tij një hua në vlerën 25 mijë euro nga i vëllai dhe kunati emigrantë për blerjen e një apartamenti 146 metra katrorë me vlerë 180 mijë euro (pjesa tjetër e paguar me kursime dhe kredi), ndërsa po ashtu përfshiu të vëllain edhe si ndihmues në blerjen e një apartamenti të mëhershëm 93 metra katrorë.
KPK megjithatë nuk ishte e një mendimi sa i përket justifikimit të parave të fituara në emigracion që shërbyen si burim për huatë. Ndërsa shumica pranoi dhe justifikoi se për këto të ardhura mund të mos ishin paguar taksa në Shqipëri dhe se mund të mos kishte dokumentacion vërtetues as nga shteti ku ata punuan, anëtarja në pakicë arsyetoi se ato duhej të konsideroheshin të paligjshme.
“Sa i përket faktit të përcaktimit të aftësisë paguese të kunatit të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues vlerëson se, nisur nga një periudhë relativisht e gjatë, nga viti 2002 deri në vitin 2013, kur i ka dhënë huan e sipërpërmendur, pra për një periudhë 10-vjeçare, z. E. C. mund të kursente të paktën shumën prej 1.000 eurosh për çdo vit, duke i dhënë ato hua pa kundërshpërblim për subjektin e rivlerësimit”, thuhet në arsyetimin e shumicës.
Kjo e fundit doli në përfundimin se të ardhurat e kunatit ishin të mjaftueshme. Ajo po ashtu cilësoi të mjaftueshme provat e paraqitura prej këtij të fundit për punën e bërë në Itali, ndërsa e përjashtoi atë nga detyrimi për të treguar se kishte paguar tatim për të ardhurat duke iu referuar ligjit italian dhe faktit se ai nuk kishte qenë më herët subjekt që duhej të vetëdeklaronte pasurinë.
Të njëjtin argument shumica përdori në rastin e vëllait që i kishte dhënë Dedjas 15 mijë euro hua për apartamentin e blerë 180 mijë euro, me kredi, hua dhe kursime. “Vëllai i subjektit nuk kishte ndonjë detyrim për të deklaruar të ardhurat e realizuara në shtetin grek, dhe rrjedhimisht nuk shihet ndonjë shkak që këto të ardhura të realizuara nga vëllai i subjektit deri në vitin 2014 të konsiderohen si të ardhura të paligjshme”, thuhet në argumentimin e shumicës së trupit gjykues.
Shumica argumentoi se detyrimi i përcaktuar në Kushtetutë për të përcaktuar si të ligjshme vetëm të ardhurat për të cilat ishte paguar tatim, binte vetëm mbi vetë subjektin dhe jo mbi të afërmin e tij. Ata arsyetuan se “në rastin në fjalë, huaja e marrë është një detyrim, i cili do të zëvendësohet nga subjekti i rivlerësimit, me kthimin e saj, me të ardhurat e vetë subjektit të rivlerësimit, të cilat duhet të jenë sipas përcaktimeve të kësaj dispozite”. Gjithashtu shumica i mori të mirëqena provat e sjella nga vëllai i gjykatësit dhe pranoi se ai kishte mjaftueshëm kursime për të dhënë huanë, pasi kishte 20 vjet punë në Greqi.
Përndryshe e mbetur në pakicë Pine i cilësoi këto argumente të pamjaftueshme. Ajo konsideroi se për të dy huatë Dedja kishte bërë deklarim të rremë dhe jo në përputhje me ligjin. Sipas saj as kunati E.C dhe as vëllai në Greqi nuk kishin paraqitur prova se kishin mjaftueshëm të ardhura.
Sipas saj ndërsa mund të pranohej që të dy nuk kishin pasur dokumente gjatë kohës që kishin qenë emigrantë ilegalë, ata nuk kishin sjellë asnjë dokument zyrtarë nga shteti italian apo ai grek për të ardhurat gjatë kohës që ishin emigrantë të ligjshëm.
Ajo tha se dy dokumente të paraqitura nga kunati në Itali, përpos se nuk ishin të plota kundërshtonin njëri-tjetrin, ndërsa njëri e cilësonte të punësuar në punë shtëpie dhe tjetri thoshte se ai punonte në bujqësi.
Po ashtu ajo shpjegoi se dokumentet për të vërtetuar punësimin e të vëllait që prej vitit 2002 kur ai dhe e shoqja kishin marrë leje të rregullt qëndrimi në Greqi duhej të ishin zyrtare. “Janë emigrantë të rregullt në Greqi dhe, si të tillë, nuk kishte arsye se pse të mos punonin konform rregullave të parashikuara nga ana e legjislacionit grek”, arsyetoi Pine.
Përndryshe sipas saj ata kanë paraqitur dokumente që nuk mund të konsideroheshin si prova nga qytetarë të thjeshtë grekë dhe në një rast Pine thotë se vetë dokumenti “përmban një vulë, që thotë: “Kjo certifikatë nuk mund t’u paraqitet autoriteteve publike ose subjekteve private që ofrojnë shërbime publike […]”. Duke theksuar se: “Nuk është depozituar asnjë dokumentacion për të provuar pagesën e detyrimeve tatimore dhe sigurimeve shoqërore në shtetin grek apo shtetin shqiptar,” duke e cilësoi si të pa provuar burimin e ligjshëm të 15 mijë eurove.
Relatorja gjeti të dyshimtë edhe faktin se vëllai i Dedjas doli pjesëtar edhe në një pasuri të vëllait tjetër të tij në një apartament në Golem, për të cilin Dedja kishte bërë kontratën me OSHEE dhe kishte paguar rregullisht energjinë. Ai po ashtu kishte një apartament të bllokuar nga banka për një kredi 25 mijë euro- thuajse në të njëjtën kohë me huanë për Dedjan, dhe të gjitha këto me burim të ardhurat nga puna si fermer në Greqi.
Debati mbi apartamentin 98 metra katrorë
Vendimi për konfirmimin e Dedjas ishte “suprizues” për ata që ndoqën si rrodhi seanca dëgjimore, kur relatorja Xhensila Pine renditi një sërë problemesh të gjetura sipas saj në pasurinë e gjyqtarit. Megjithatë dy kolegët e saj në këtë trupë gjykuese Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia, e përmbysën relacioni e përgatitur prej saj.
Kështu, qëndrimi i Pines në lidhje me një apartament të blerë nga Dedja në vitit 1997 është mjaft i ndryshëm nga vendimi i dy gjyqtarëve në shumicë. Pine thotë se nga hetimet rezultoi se Dedja në këtë rast kishte bërë “deklarim të rremë”, “ka mosdeklarim të vlerës së apartamentit” dhe “mungesë të burimeve të ligjshme për të ardhurat e vëllait në Greqi”. Gjithashtu, Pine ka gjykuar se ndryshimi i deklarimit fillestar nga ana e gjykatësit, në të cilin ai kishte thënë se “burimi i krijimit të kësaj pasurie kanë qenë të ardhurat e mia”, por që pasi është vënë në dijeni se të ardhurat për vitet në fjalë nuk ishin të mjaftueshme shtoi edhe të vëllain si pjesëtar në blerje, e bëjnë këtë pasuri problematike.
Pine po ashtu ka cilësuar si problematik faktin që gjykatësi nuk kishte deklaruar një rivlerësim të kësaj prone. Sipas Pines mbrojtja e gjykatësit se rivlerësimi ishte bërë automatikisht bazuar nga vendimet e qeverisë nuk ishte i vërtetë, ndërsa ajo shtoi se ishte Dedja që kishte paguar për rivlerësimin për t’i rritur kështu vlerën pasurisë, duke e cilësuar këtë mosdeklarim.
Pine vërejti edhe disa mosrakordime në shumat e raportuara apo deklarimin për vitin kur pallati ishte përfunduar. Sipas saj gabimet e bëra nga gjykatësi në këto deklarime nuk ishin të paqëllimshme, sa kohë ishin bërë disa vite pas përfundimit të ndërtimit.
Në krahun tjetër Sanxhaktari dhe Ilia kanë argumentuar se deklarimet e dhëna nga gjyqtari ishin në “përputhje me gjetjet e hetimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”. Ata pranuan argumentin e gjykatësit se shuma e fituar prej tij në vitet 93-97 ishte e mjaftueshme për të paguar këstin e parë të apartamentit dhe gjithashtu pranuan argumentin se vëllai i gjyqtarit kishte kontribuar në blerje.
Duke pasur parasysh problemet e gjetura nga Pine shumica arsyetoi se “Objekti i hetimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është kontrolli i pasurive të deklaruara gjatë periudhës së ushtrimit të funksionit të subjektit të rivlerësuar dhe jo kontrolli i deklaratave të pasurisë të bëra gjatë viteve”. Ata po ashtu justifikuan Dedjan për ndryshimin e shumës së paguar, duke pranuar asryetimin se gjatë kohës mund të ishin bërë punime shtesë. Përndryshe nga Pine ata arsyetuan se pjesëmarrja e vëllait të gjykatësit në këtë blerje ishte e provueshme dhe po ashtu pasurinë e tij e cilësuan të ligjshme duke pranuar argumentin se në këtë kohë shumë emigrantë ishin ilegalë në vendet ku punonin.
“Referuar kohës kur kjo pasuri është blerë, vitit 1997, çdokush mund të gjendet në situata të pamundësisë për të qenë i saktë në deklarime, por sqarimet e dhëna treguan se subjekti ka pasur mundësi financiare për të blerë këtë pasuri të paluajtshme dhe se pasaktësitë nuk kanë qenë të qëllimshme”, thuhet në arsytimin përfundimtar të shumicës për këtë pasuri.
Trajtimi i pasaktësive
Një prej argumenteve kundër konfirmimit të Dedjas nga relatorja Xhensila Pine ishte paraqitja prej tij e të dhënave të ndryshme. Një ndër këto të dhëna ishte pretendimi fillestar përmes një kontrate noteriale për një hua të marrë nga kunati E.C në vitin 2014, por që pasi KPK gjeti se ky nuk kishte qenë në Shqipëri në atë kohë ndryshoi në hua të marrë nga vjehrri në po të njëjtën kohë.
“Rezulton se jemi në kushtet e deklarimit të rremë nga ana e subjekti i rivlerësimit, pasi ai në deklaratën – veting deklaron se shumën 10.000 euro ia ka marrë hua z. E. C., ndërsa ndryshon deklarimin, duke u shprehur se kjo shumë i është dhënë nga ana e vjehrrit të tij”, thotë relatorja.
Por nga ana e saj shumica nuk e gjeti këtë përplasje deklaratash si një problem. “Trupi gjykues vlerëson se objekti i vlerësimit të pasurisë është deklarimi dhe kontrolli i pasurive, i ligjshmërisë së burimit të krijimit të tyre… dhe jo mënyra e kryerjes së pagesave dhe mënyra e ekzekutimit të detyrimit”, thuhet në arsyetimin e Sanxhaktarit dhe Ilias. Sipas tyre nuk ishte e rëndësishme se “cili ishte personi që ka dorëzuar fizikisht shumën e huas subjektit të rivlerësimit, kunati apo i atit i kunatit”. Ata i konsideruan të mjaftueshme shpjegimet e dhëna nga vjehrri i Dedjas, duke e cilësuar të ligjshme këtë provë.
Po ashtu gjetja e një kontrate të OSHE në emër të Dedjas për një apartament në Golem u trajtua në mënyra të ndryshme nga pakica dhe shumica. Pine e cilësoi atë si një dyshim për pasuri të fshehur, por shumica tha se nuk kishte asnjë provë direkte apo indirekte, duke pranuar arsyetimin e Dedjas se ai kishte marrë përsipër pagesën e energjisë për lehtësi dhe se shumat e paguara ishin simbolike.
Shumica në këtë rast përjashtoi vëllain e Dedjas, i cili banonte në Dibër nga detyrimi për të shpjeguar pasurinë, duke argumentuar se ishin në “mungesë të indicieve të forta dhe të ndërthurura me njëra-tjetrën, që hedhin dritë mbi posedimin dhe zotërimin e sendit nga subjekti i rivlerësimit”.
Ata po ashtu pranuan se vëllai i subjektit kishte të ardhura për të blerë apartamentin 1.9 milion lekë, duke cilësuar të mjaftueshme të ardhurat nga puna në blegtori e bujqësi në Dibër, ku sipas shumicës në KPK, vëllai i gjykatësit zotëronte rreth 10 mijë metra tokë arë.
Pine tha se ekspertiza nuk i jepte të drejtë shumicës, se të dhënat për pasurinë e vëllait që jeton në fshat nuk ishin të plota, ndërsa vetë gjyqtari “kishte fshehur faktin se e përdorte këtë apartament”. /Birn
ma.me