Nga Artur Ajazi
Dy ditë më parë në një postim në fb, Monika Kryemadhi kryetarja de facto e LSI, deklaronte me mburrje se (nënteksti) “qeverisja ime dhe e partisë time, do ta shpëtojë Shqipërinë nga droga, korrupsioni, kapja e shtetit , trafiqet, ndaj sa më parë të largojmë Ramën dhe në vendin e tij të vij unë”. Pra Monika e LSI, pas dështimit me “opozitën e bashkuar dhe krushqisë me Lulzim Bashën”, pas largimit të shumicës së drejtuesve dhe militantëve dhe pas shkatërrimit fizik dhe politik të partisë saj, tashmë kërkon të qeverisë.
Një imagjinatë e shfrenuar të cilën vetëm kryetarja de facto e LSI mund ta ketë. Imagjino të të qeverisë Monika dhe LSI, imagjino të votosh (larg qoftë) për të bërë kryeministre Monikën e LSI, imagjino të qeverisesh nga kryetarja e një force politike që nuk quhet sot as parti, imagjino të qeverisesh me ministra të një partie që qysh nga dita e parë e krijimit, të urdhëruar kanë ikur sa majtas dhe sa djathtas.
Imagjino të qeveriset ky popull nga Monika dhe LSI, pas asaj që hoqi, dhe që i panë sytë në fushatat elektorale nga shtabet e terrenit. Të kërkosh të qeverisësh vendin kur ke dhjetra ish-drejtues institucionesh të shkarkuar, penalizuar dhe arrestuar për lidhje me aferat korruptive, të kërkosh të qeverisësh vendin kur nuk ke as struktura dhe forume funksionale drejtuese të partisë, të kërkosh të qeverisësh vendin kur nuk ke as parti madje , kjo është ose lajthitje ose një kurajo momentale që fashitet shpejt.
Por ja që Monika i bëri thirrje shqiptarëve që “të ngrihen të rrëzojnë Edin dhe ti besojnë asaj qeverisjen e vendit, “për të pastruar brënda 3 muajve krimin, korrupsionin, dhe trafiqet nga institucionet e shtetit”. Duket se ndarja dhe dështimi me PD dhe Lulzim Bashën (pas trysnisë që ky i fundit kishte nga aleatët) e ka shtyrë Monikën të mendojë seriozisht për eksperimente të reja politike . Ajo tashmë nuk kërkon të bëjë opozitaren, por kërkon qeverisjen , kërkon të jetë kryeministre e vendit, kërkon të “spastrojë institucionet nga droga dhe korrupsioni”, madje duke deklaruar edhe afate 3 mujore.
Në fakt për momentin në të cilën gjendet partia e Monikës, e vetmja zgjidhje dhe zgjedhje që mund të vetëshpallësh në portale dhe fb, është pikërisht imagjinata. Pra hidh çizme, shkul mikrofona, ngjirru duke thirrur dhe duke sharë nga foltorja, shkruaj, deklaro, kërko, premto, bëj thirrje të të votojnë, akuzo “kundërshtarin politik”, dhe syno të kapësh ose kryeministrin, ose ndonjë ministri duke bashkëqeverisur. Vallë ky është niveli politik, që duhet të kenë sot krerët e partive në këtë vend vallë kjo është stradegjia dhe platforma ideore e një partie politike që pasi dështon duke bërë disa muaj opozitën, kërkon papritur të hyjë në qeverisje duke përdorur fb?
Dihet tashmë se shumica e politikanëve në Shqipëri, nuk kanë as staturën, dhe as qëndrueshmërinë e duhur intelektuale për të qenë liderë të partive të tyre. Kjo pasi ata kanë varësi nga paraja, pasuria hipotekore që disponojnë, duke përdorur partinë dhe “ushtarët” që kanë punësuar në partinë e tyre. Duke qenë të pasur, natyrisht ky soj politikanësh egoistë dhe të dështuar, kanë arritur që në tranzicionin e stërgjatë demokratik të këtij vendi, të ngrenë në sistem tarafet e tyre, duke i kthyer në celula propagandistike.
Të ringrihesh në kufijtë e normalitetit politik, do të thotë të arrish nivelin maksimal të besueshmërisë në shumicën e popullit. Dhe pikërisht këtë arritje (shpresën dhe besimin tek shqiptarër) nuk e ka dhe zor se do ta ketë ndonjëherë LSI e Monikës. Por pavarsisht se edhe vetë Monika po e sheh, se si partia që ngriti Iliri po shkërrmoqet dita-ditës, sërish ajo ka kurajon të kërkojë të qeverisë e vetme ose të bashkëqeverisë me njeriun që çdo ditë e etiketon, e shan, dhe akuzon se “është e keqja më e madhe e këtij vendi”. Kaq të mendosh, dhe të thuash pastaj, imagjino të qeverisesh nga Monika?/Tema