Çifti i prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina e kanë zhvendosur betejën e tyre ligjore me Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, por edhe KKP apo OMN në gjykatën e Strasburgut.
Gjykata e Strasburgut ka pranuar të marrë në shqyrtim, nëpërmjet procedurës së njoftimit urgjent të autoriteteve shqiptare dhe kalimit në seancë gjyqësore me prioritet, ankimin e prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina, duke e regjistruar çështjen e tyre me nr. Nr.29943/18 “Gashi dhe Gina kundër Shqipërisë”, dt. 27.06.2018.
Dy prokurorët kanë ankimuar një seri procedurash ligjore, të ndjekura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, përfshirë edhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, si edhe të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, shkruan Balkanweb.
Prokurorët Gashi dhe Gina kërkojnë nga Gjykata e Strasburgut që të shqyrtojë shkeljet e parashikuara në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të kryera nga KPK, KPA dhe Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, duke vendosur rrëzimin e kërkesës për pezullimin e tyre nga detyra, si edhe të konstatojë shkeljet proceduriale gjatë procesit të rivlerësimit.
Pas konfirmimit se çështja do të shqyrtohet nga Gjykata e Strasburgut, prokurorja Rovena Gashi kërkoi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të Martën, dt. 10.07.2018, të ndërpresë procedurën e rivlerësimit kalimtar të nisur ndaj saj. Këtë kërkesë e bazon në përcaktimet e neneve 17, 29, 32, 34, 38 dhe 46 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në bazë të të cilave autoritetet e brendshme nuk mund të vijojnë shqyrtimin e çështjes, përsa kohë procedurat paraprake të saj po shqyrtohen nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut deri në vendimin përfundimtar prej saj.
/b.d