“Gjatë 1 viti, nga Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve u menaxhuan 1650 fëmijë në situatë risku, nga të cilët 929 janë raste të reja. Ajo që vihet re dhe për të cilën strukturat tona kanë patur reagim të menjëhershëm është rritja e rasteve emergjente të fëmijëve në situatë rreziku”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëdnetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë konferencës “Forcimi i kapaciteteve të profesionistëve për të mitur”, organizuar në një qendër sociale ku trajtohen fëmijët në situatë risku, ku merrnin pjesë Ministrja e Drejtësisë, ambasadorja BE-së në Tiranë, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, policisë, organizata të shoqërisë civile, etj.
Duke u ndalur te rëndësia e parandalimit të situatave të fëmijëve në konflikt me ligjin, Ministrja Manastirliu u shpreh se po zbatohen plane individuale për integrimin e fëmijëve në situatë risku.
“223 punonjës të mbrojtjes së fëmijëve punojnë cdo ditë në terren jo vetëm për evidentimin e fëmijëve në situatë rreziku, por për një trajtim të plotë, të integruar, me plane individuale për secilin prej tyre. A janë mjaftueshëm? Sigurisht që jo. Do duhet të bëhet më shumë nga disa bashki apo njësi vendore, për të patur punonjës të dedikuar por edhe të mirëtrajnuar për mbrojtjen e të miturve”, tha Manastirliu.
Ministrja u ndal dhe te trajtimi i fëmijëve nën moshën e përgjegjësisë penale, për të cilët –siç u shpreh Manastirliu- “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hartuar për herë të parë një projektvendim të posacëm për mbrojtjen dhe trajtimin e fëmijëve nën moshën e përgjegjësisë penale dhe që dyshohet apo ka kryer një vepër penale, duke mbajtur në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës”.
ma.me