Belgjika dhe Franca luanë sot në orën 20.00 në Shën Petërsburg ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Botërorit Rusi 2018. Franca, që është e vetmja nga skuadrat e mëdha që ka mbetur në lojë për fitimin e Kampionatit Botëror, ka përballë një skuadër inferior në traditë, por aspak në përbërje. Belgjika ka arritur vetëm një herë në gjysmëfinalet e një Botërori dhe kjo në 1986-ën e largët, përballë një Franca fituese të një Botërori në 1998, përballë Brazilit dhe finalist në 2006, kur u mund në 11-metërsha nga Italia. Megjithatë belgët me lojën që kanë treguar deri më tani dhe me yje si Eden Hazard, Romelo Lukaku e Kevin De Bryune janë të frikshëm për çdo kundërshtar.
Nga ana tjetër Deschamps I akuzuar fillimisht se luan me skema mbrojtëse, pas suksesit të “Gjelave” nuk pritet të bëjë ndryshime në formacionin titular, veç rikthimit në të të Matuidi, që mungojë ndaj Uruguajit se ishte i pezulluar. Në stërvitjen e fundit Kylian Mbappe nuk doli me skuadrën dhe menjëherë filluar zërat për një problem apo më keq mungesë të mundshme të sulmuesit më në formë të francezëve, por trajneri ka sqaruar gjithçka. “Mbappe nuk ka asnjë problem. Do të jetë në fushë me Belgjikën. Lashë vetë disa lojtarë pushim”, ka sqaruar Deschamps. Për ndeshjen trajneri i “Gjelave” është shprehur se nuk i trembet yjeve belgë. Sipas trajnerit francez, fakti që kanë arritur të ndalin një kampion si Lionel Messi është domethënëse. “Jemi përgatitur për çdo të papritur, pavarësisht se si rivalët tanë do të luajnë në këtë sfidë.
Përgatitja është e njëjtë si për ndeshjet e tjera. Njësoj si kur mundëm Argjentinën dhe ndalëm Messin një javë më parë. Kante e bllokoi mjaft mirë argjentinasin, kjo është e vërteta dhe kur Leo luajti ndaj nesh, thuajse ishte inekzistent në fushë. Belgjika nuk ka ardhur rastësisht deri këtu, është një skuadër e fortë dhe me shumë talente. Personalisht e respektoj shumë këtë ekip. Ndaj Brazilit bënë një ndeshje të madhe, me një plan loje specifik, duke përforcuar mesfushën dhe mbyllur hapësirat dhe brazilianët nuk arritën të depërtonin. Ka shumë gjasa që këtë gjë të bëjnë edhe ndaj nesh, por jam i bindur se do të jemi gati”, u shpreh Deschamps.
Trajneri spanjoll i Belgjikës, Roberto Martinez shprehu besimin se skuadra e tij është gati për të luajtur sfida të tilla, ndërsa shkoi edhe më larg, duke mos i fshehur ambiciet për të triumfuar në Rusi.
“Në dy vitet e fundit kemi punuar shumë për t’u bërë më të fortët në nivelin ndërkombëtar. Tani kemi një mundësi të artë për të kapur “majën” e botës dhe duam ta shfrytëzojmë maksimalisht. Duam të bëjmë krenar futbollin belg dhe jo vetëm”, deklaroi Martinez. Përkrah trajnerit të Belgjikës, në konferencë për shtyp u shfaq edhe fantazisti i Manchester Cityt, Kevin De Bruyne, autor i një goli mjaft të bukur ndaj Brazilit. “Duhet të luajmë të përqendruar nga fillimi në fund dhe të japim maksimumin. Këtu nuk është si në kampionat, ku mund të rikuperosh në ndeshjet e ardhshme, ndaj edhe gabimet kushtojnë shumë shtrenjtë”, tha De Bruyne.
ma.me