Dymbëdhjetë djem të bllokuar në një shpellë në Tajlandë dërguan letra për prindërit e tyre për herë të parë në dy javë, raporton BBC.
“Mos u shqetësoni, ne jemi të fortë”, shkroi një nga djemtë në mesazhin e tij.
Trajneri që i mori djemtë në shpellë u ka kërkuar falje prindërve dhe fëmijët shkruan në letrat e tyre se ata nuk duhet ta fajësojnë atë.
Letrat u dërguan me anë të zhytësve britanikë, kontigjente të operacionit të shpëtimit.
“Mos u shqetësoni për mua, unë jam i sigurt“, shkroi një tjetër prej fëmijëve.
Një tjetër shkroi se donte mamanë, babanë dhe vëllezërit dhe motrat e tij.
Trajneri 25-vjeçar, gjithashtu dërgoi një letër duke deklaruar se të gjithë fëmijët janë mirë dhe se ata do të bëjnë gjithçka për të rezistuar. Disa herë në letrën e tij ai vuri në dukje se ai ndihej shumë i keq që ndodhi e gjitha kjo.
Interesante është se në faqen e facebook-ut të Marinës tajlandeze ku u publikuan letrat, disa prindër theksonin se ata nuk fajësonin trajnerin për ngjarjen, dhe madje e falënderonin atë për ndihmën ndaj fëmijëve të tyre.
Ky ishte komunikimi i parë i suksesshëm me fëmijët brenda shpellës, sepse përpjekjet e mëparshme për të folur në telefon kanë dështuar për shkak të sinjalit të ulët.
Kujtojmë se djemtë u gjetën në shpellë dhjetë ditë pasi u zhdukën. Ata janë bllokuar në një shkëmb që është rreth katër kilometra nga hyrja.
Ekipi i zhytësve nga Tajlanda dhe vendet e tjera ka mundur t’u çojë atyre ushqime dhe furnizime mjekësore. Ka shumë veprime nga ushtria dhe civilët që përpiqen t’i shpëtojnë para sezonit të shirave në Tajlandë, përndryshe ata rrezikojnë të qëndrojnë në shpella për muaj.
a.ç