Gjiganti ndërkombëtar i financave “Fitch” vlerëson përmes degës së tij “BMI Research” se, tensionet politike në Shqipëri mund të dëmtojnë ekonominë. Në vlerësimin periodik, “Fitch” deklaron se, pavarësisht dorëheqjes së Saimir Tahirit, tensioni politik në Shqipëri mbetet i lartë.
“Ne nuk besojmë se përpjekjet e opozitës për të rrëzuar qeverinë do të jenë të suksesshme. Megjithatë, ne besojmë se rreziku që tensionet politike të dëmtojnë ekonominë është rritur”, thuhet në vlerësimin e “BMI Research”.
“Fitch” parashikon se rritja ekonomike do të ngadalësohet nga 3.9 për qind, që ishte vjet, në 3.7 për qind këtë vit dhe 3.5 në atë 2019.
Sipas “Fitch”, rreziqet për ekonominë shqiptare mund të rriten më shumë, nëse protestuesit do të targetojnë projektet infrastrukturore që po ndërtohen me skemën e partneritetit publik-privat, çka mund të çojë në braktisjen e tyre.
“Një ngadalësim i projekteve të infrastukturës do të kufizonte rritjen e punësimit, çka do të rriste rreziqet që protestat të arrijnë shkallën dhe intensitetin, ku mund të kërcënojnë jetëgjatësinë e Partisë Socialiste në pushtet”, thuhet më tej në vlerësim.
Në tremujorin e parë, ekonomia shqiptare u rrit me 4.45 për qind, e ndihmuar nga rritja e prodhimit të energjisë dhe industria përpunuese.