Parlamenti Europian miratoi sot krijimin e një Fondi Europian të Mbrojtjes duke filluar nga viti 2019 për të zhvilluar kapacitetet ushtarake të shteteve anëtare dhe për të promovuar pavarësinë strategjike të Bashkimit Europian.
“Të pajisësh Bashkimin Europian me një autonomi strategjike nuk është më një tabu. Kjo konkretizohet me shfaqjen e një politike të vërtetë industriale europiane në çështje të mbrojtjes”, deklaroi eurodeputetja konservatore franceze, Françoise Grossetete (EPP) pas miratimit përfundimtar nga Parlamenti.
Programi i miratuar sot nga eurodeputetët është i pajisur me 500 milionë euro për periudhën 2019-2020.
Ky do të jetë një pararendës i Fondit Europian të Mbrojtjes (FED) që do të pajiset me 13 miliardë euro në buxhetin europian për periudhën 2021-2027. /b.d