Ekspertiza e mjekëve ligjorë dhe e ekspertëve kriminalistë konfirmuan vetëvrasjen e shoferit të ministrit të Brendshëm, por edhe dëshmitë e personave të pyetur për ngjarjen, si dhe kamerat e sigurisë e kanë çuar grupin hetimor drejt këtij versioni.
Një mesazh që Shkëlzen Qordja i kishte nisur së ëmës në orët e para të mëngjesit të së shtunës, para se të kryente vetëvrasjen, është konsideruar nga hetuesit si paralajmërim për atë që u zbulua në orën 09:30. “Më fal!”, mësohet t’i ketë shkruar gardisti 31-vjeçar nënës së tij. Ky mesazh ka shqetësuar prindërit e Shkëlzenit, që sapo e kanë lexuar, kanë nisur t’i telefonojnë, por ai nuk iu është përgjigjur.
Babai i tij është nisur menjëherë drejt Gardës së Republikës, që të interesohej për të birin. Efektivi i shërbimit që ishte te porta kryesore ka konfirmuar që ai ishte futur në ambientet e Gardës me automjetin e tij personal dhe ishte drejtuar për te garazhi ku parkohen mjetet e Ministrisë së Brendshme. Kjo është verifikuar edhe nga kamerat e sigurisë. Qordja është filmuar duke hyrë aty me makinë dhe ka qenë i vetëm.
VENDNGJARJA
Shqetësimi i babait të Shkëlzen Qordjas ka vënë në lëvizje efektivët e Gardës së Republikës, të cilët menjëherë janë nisur drejt garazhit ku ai ishte futur në orët e para të mëngjesit. Ata kanë konstatuar se dera ishte e mbyllur dhe e kanë hapur me forcë. Në atë moment kanë konstatuar ngjarjen dhe menjëherë kanë lajmëruar Policinë.
Ndonëse arma ishte shkrepur me breshëri, duke qitur 3 plumba, askush nuk kishte dëgjuar të shtënat. Kjo, për faktin se vendi ku ndodhet garazhi është larg nga porta kryesore e Gardës së Republikës ku ndodheshin shërbimet, por edhe pasi arma e llojit “MP5” ka një veçori, që në momentin e shkrepjes nuk ka zhurmë të fortë.
Trupi i pajetë i 31-vjeçarit nuk është gjetur në makinën e tij personale, por në atë të Ministrisë së Brendshme. Gardistët kanë pohuar se Qordja kishte shkuar aty, pikërisht për të marrë makinën e shërbimit që ishte e parkuar. Nga këqyrja rezultoi se në kokën e viktimës kishte plagë tejshpuese të shkaktuara nga armë zjarri me qitje, me drejtim nga e djathta në të majtë.
Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”.
HETIMI
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë me armën e shërbimit. Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen, nën drejtimin e prokurorit, ka kryer një serë veprimesh për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Janë marrë deklarimet e disa efektivëve të Gardës së Republikës, që kanë qenë në garnizon në momentin e ngjarjes dhe ata që kanë konstatuar trupin e pajetë. Gjithashtu, janë verifikuar kamerat e sigurisë në hyrje të Gardës dhe në ambientet e brendshme të garnizonit./Panorama/a.m.